Një operacion policor po zhvillohet në Tiranë e Shkodër kundër një rrjeti të gjerë mashtrimi ekomonik me kriptomonedha. Shqiptarja.com mëson se policia ka në dorë për të ekzekutuar 20 masa sigurie të firmosura nga prokuroria e Tiranës, mes tyre 6 pronarë të pikave të këmbimit valuator që thyenin kriptomonedhat në ambientet e tyre, ndërkohë që një gjë e tillë nuk është e ligjshme.
Ndërsa personat e tjetë jane bashkëpunëtorët e tyre, ose individë që e reklamonin në rrjete sociale se bënin shkëmbim me kriptomonedha.
Deri tani policia thotë se janë 17 persona të arrestuar ndërsa operacioni vijon.
“Deri tani, në kuadër të këtij operacioni, është ekzekutuar masa e sigurisë “arrest në burg”, e caktuar nga Gjykata e Tiranës, për 17 shtetas, si dhe janë kryer kontrolle në 32 ambiente në Tiranë dhe në Shkodër”, njoftoi sot Policia e Shtetit për operacionin e koduar “USDT-1”.
Prokuroria e Tiranës ka dyshime që kemi të bëjmë me pastrim parash. Hetimi është kryer nga prokurori Ardian Dyrmishi. Ka qenë një operacion qe është bërë me stimulim nga agjentët të cilët kanë shkuar në këto pika për të kryer shkëmbim.
Kontrollet janë bërë në Vorë, Laknas, Kamez, Fushë Krujë, Mëzez, Kashar, Fresk, dhe në lagje të tjera të Kryeqytetit.
Policia dhe Prokuroria po ushtrojnë kontrolle edhe në pikat e shkëmbimit valutor, Exchange.
Në cilesinë e provës materiale, janë sekuestruar pajisje kompjuterike, celularë dhe shuma të konsiderueshme parash.
Ky operacion vjen pak ditë pas një operacioni të rëndësishëm antidrogë ku u godit një grup i trafikut të kokainës nga Amerika Latine. Droga përpunohej në laborator në Fushë Krujë dhe më pas tregohej në vendet e Bashkimit Europian.
Njoftimi paraprak i Policisë së Shtetit për operacionin:
“Në përgjigjje të interesit të medias, mbi një operacion policor, aktualisht në zhvillim, ju sqarojmë se:
Si rezultat i një hetimi disamujor, me metoda speciale, po zhvillohet sot, operacioni policor i koduar “USDT-1”.
Zhvillimi i këtij operacioni, rezultat i punës së mirorganizuar të Drejtorisë për Hetimin e Krimit Kibernetik së DPPSh-së, në bashkëpunim me Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale dhe me Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë. Deri tani, në kuadër të këtij operacioni, është ekzekutuar masa e sigurisë “arrest në burg”, e caktuar nga Gjykata e Tiranës, për 17 shtetas, si dhe janë kryer kontrolle në 32 ambiente në Tiranë dhe në Shkodër.
Në cilesinë e provës materiale, janë sekuestruar pajisje kompjuterike, celularë dhe shuma të konsiderueshme parash. Operacioni është në vijim. Në përfundim të tij, Policia e Shtetit do të japë njoftim të detajuar për median dhe qytetarët.