Policia ka dhënë detaje nga ngjarja e rëndë në Tiranë, ku një 14-vjeçar humbi jetën pas një sherri me thika me dy bashkëmoshatarë të tij, konflikt i ndodhur jashtë shkollës 9-vjeçare “Fan Noli” në kryeqytet mesditën e sotme.
Adoleshenti me iniciale L. C., raportohet se kishte marrë plagë të shumta në bark dhe zemër. Ai u dërgua në spital, por nuk arriti të mbijetojë duke humbur jetën. Ndërkohë i plagosur ka mbetur edhe një 14-vjeçar i përfshirë në sherrin me thika, i cili ndodhet në spital nën kujdesin e mjekëve.
Raportohet se është shoqëruar njëri nga autorët e dyshuar, ndërsa grupi hetimor po vijon punën për sqarimin e rrethanave të konfliktit. Ngjarja ndodhi rreth orës 13:10, në rrugën “Qema Stafa”, rreth 200-300 metra larg shkollës “Fan Noli”.
Njoftimi i policisë:
Më datë 18.11.2024, rreth orës 13:10, në rrugën “Qema Stafa”, rreth 200-300 metra larg shkollës “Fan Noli” janë konfliktuar 3 shtetas të moshës 14 vjeç.
Si pasojë e dëmtimeve të marra gjatë konfliktit, ka ndërruar jetë njëri prej tyre ndërsa tjetri ndodhet në spital, në kujdesin e mjekëve.
Është shoqëruar njëri nga autorët e dyshuar, ndërsa grupi hetimor po vijon punën për sqarimin e rrethanave të konfliktit.