Mbi 680 mijë euro janë sekuestruar ditën e sotme në pikën kufitare të Muriqanit.
Mësohet se paratë ishin të padeklaruara, teksa në pranga ka rënë 51-vjeçari Lefter Nelaj. Ai kishte fshehur plot 680.595 euro në 2 hapësira të modifikuara në dyert e pasme të furgonit me të cilën po hynte në vendin tonë.
Në njoftimin për median policia e Shkodrës informon se operacioni i koduar “Burimi” u ndërmor si rezultat i administrimit të menjëhershëm të informacionit të siguruar nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, shërbimet e Policisë Kufitare të PKK Muriqan, në bashkëpunim me shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër.
Njoftimi i policisë:
Si rezultat i administrimit të menjëhershëm të informacionit të siguruar nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, shërbimet e Policisë Kufitare të PKK Muriqan, në bashkëpunim me shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, finalizuan operacionin policor të koduar “Burimi”.
Gjatë operacionit, u kap në hyrje të Shqipërisë dhe u arrestua shtetasi Lefter Nelaj, 51 vjeç, banues në Fushë Milot. Nga kontrollet në vijë të dytë, në automjetin që drejtonte ky shtetas, u gjetën në 2 hapësira të modifikuara në dyert e pasme, 680 595 euro, të cilat ky shtetas synonte t’i fuste ilegalisht në Shqipëri. Vijojnë hetimet për të provuar burimin e parave, informon policia e Shkodrës.