Dimri duket se ka ardhur më herët se në zonat e tjera të vendit në Vermosh të Malësisë së Madhe, ku janë regjistruar reshjet e para të dëborës.
Një ftesë kjo për ata që shijojnë turizmin malor. Magjia e bardhësisë që të ofron bora, është fantastike.
Vermoshi është një ndër destinacionet turistike në Qarkun e Shkodrës, jo vetëm sa i përket klimës malore, por edhe për të apasionuarit e alpinizmit.
Qeveria synon të nxisë dhe turizmin malor.
Në profilin e facebook të kryeministrit Edi Rama janë postuar pamjet me dron të kësaj zone si “një ftesë ndjellëse për të shijuar Alpet edhe gjatë dimrit falë aksesit të lehtë rrugor”, shkruhet në postim.
Në Vermosh shtëpitë tradicionale alpine, sot janë kthyer në bujtina mikpritëse për vizitorët.
Fshati më i madh i Alpeve të Shqipërisë, Vermoshi është një luginë me origjinë akullnajore, e vendosur në lartësinë 1100 metra mbi nivelin e detit.
Në të dyja anët e luginës, ngrihen shpate malesh me pjerrësi të konsiderueshme dhe të veshura me pyje dhe kullota. Vermoshi shquhet për panoramën e tij, si dhe për reshjet e dëborës që zgjasin afro 100 ditë në vit.
Aktivitetet kryesore të cilat mund të zhvillohen në Vermosh, janë ngjitjet malore në Malësinë e Marlules apo edhe shëtitjet në luginat e thella alpine të Lepushës dhe Cemit.