Prej disa ditësh punonjësit denoncojnë se në ndërmarrjen e Ujësjellës Kanalizime Rajoni Shkodër me rreth 460 punëtorë, është bërë një mbledhje me drejtuesit e ndërmarrjes në gjithë sektorët e saj të qarkut Shkodër.
Në këtë mbledhje janë detyruar përgjegjësit e sektorëve për të kontaktuar punonjësit dhe në këmbim të vendit të punës tu komunikohet gjithë punonjësve të këtij institucioni, në emër të drejtorit të kompanisë të plotësojnë lista emërore me kontakte të shtetasve shqiptarë që jetojnë në diasporë dhe ti marrin ato në patronazhim.
Ky denoncim është lehtësisht i vërtetueshëm sepse gjatë orareve të drekës ditën e enjte në zyrat e shtetit shtetasi Indrit Salja me detyrë Drejtor i Degës së Kujdesit ndaj klientit ka mbledhur gjithë punonjësit e kësaj drejtorie dhe ka shpërndarë formularin.
Këto takime dhe diskutime vërtetohen edhe me kamerat e institucionit.
Drejtori i kësaj ndërmarrje Besmir Lesha është me funksion politik sekretar i PS Shkodër dhe siç shprehet edhe vetë, kjo iniciativë është nën direktivat e drejtuesit politik te qarkut Benet Beci.
I bëj thirrje strukturës së posaçme antikorrupsion, në bazë të nenit 328 të kodit penal – “Korrupsion aktiv në zgjedhje”, të nisë hetimet duke marrë në shqyrtim kamerat e kësaj drejtorie të cilat denoncimin e mësipërm e kanë të rregjistruar me zë dhe figurë.
Lërini njerëzit të jetojnë, të punojnë e të votojnë të qetë.
Asgjë nuk ju shpëton nga urrejtja masive dhe përçmimi i atyre që nuk durojnë dot hajninë tuaj dhe sundimin e krimit.
Revolta dhe vota e tyre janë fundi juaj.