Ministri i Brendshëm Ervin Hoxha prezantoi sot (14 Nëntor) emrat e 12 drejtuesve të Policive në Qarqe.
“Pas fazës së konkurrimit, aplikuar për herë të parë, kalojmë sot stafetën e drejtimit të 12 Drejtorive Vendore të Policisë së Shtetit, tek një brez i ri oficerësh me përvojë dhe integritet.
“Duke u ofruar mbështetjen e plotë strukturave policore, çojmë para arritjet e deritanishme dhe prodhojmë më shumë siguri për qytetarët tanë.
“Ju kërkoj drejtuesve të rinj të policisë të kenë një qasje më proaktive ndaj ankesave të qytetarëve, por edhe shqetësimeve dhe problematikave që media ngre duke i trajtuar me seriozisht dhe paanshmëri”, u shpreh Hoxha.
Kreu i dikasterit pasi lexoi emrat e drejtorëve në 12 qarqe, u dha edhe porosi publike duke kërkuar zbardhjen sa më shpejt të masakrës së Dobraçit në Shkodër, me 4 të vrarë në atentat, dy nga të cilët viktima të pafajshme.
“Ngjarja e Shkodrës duhet të zbardhet plotësisht dhe para drejtësisë duhet të dërgohen autorët. Madje edhe çdo ngjarje e vogël që nuk bën lajm e bujë duhet të marrë vëmendjen e duhur nga policia”, tha ndër të tjera ministri Hoxha.
Kujtojmë se drejtues i qarkut Shkodër iu emërua Fatmir Lleshaj. Edhe dje (13 Nëntor), në Komisionin e Sigurisë, drejtori i Përgjithshëm, Ilir Proda, teksa raportonte për buxhetin e vitit 2025, theksoi se ngjarja e Shkodrës do zbardhej shumë shpejt.
Ministri Hoxha porositi drejtuesit e rinj të kenë një qaje më proaktive ndaj denoncimeve të qytetarëve dhe mediave.
Emrat e rinj të drejtorëve të policisë në qarqe
Qarku Tiranë – Elton Alushi
Qarku Durrës – Vilson Bala
Qarku Elbasan – Fatmir Hoxha
Qarku Shkodër – Fatmir Lleshaj
Qarku Lezhë – Altin Mena
Qarku Kukës – Gentian Berberi
Qarku Dibër – Artion Duka
Qarku Fier – Skënder Hita
Qarku Berat – Luigj Vathi
Qarku Vlorë – Elidon Çela
Qarku Korçë – Erion Ahmeti
Qarku Gjirokastër – Altion Merizaj