Vijon të jetë i mbuluar me mister atentati i 30 tetorit në Shkodër, ku humbën jetën Hamza Lici, Arlind Bushati dhe çifti i bashkëshortëve Flutura dhe Bashkim Basha. Përveç identitetit të autorëve të krimit, mister është edhe identiteti i personit të tretë që dyshohej se ishte në makinë me Licin dhe Bushatin. Ky person doli edhe në pamjet e vendngjarjes, shumë pak çaste pas atentatit.

Dyshimet kryesore janë se ky person është personazhi i njohur i botës së krimit, Ibrahim Lici, vëllai i të ndjerit Hamza Lici. Gazetarja Anila Hoxha ka zbuluar detaje të reja lidhur me masakrën e Dobraçit tha se janë kryer një sërë hetimesh, për të kuptuar se si ai u largua nga vendngjarja.

“Ka dyshime se ky shtetas mund të ketë qenë i plagosur dhe ndaj ka pasur disa verifikime të klasifikuara si të sekretit tepër të lartë, ku përfshihen vëzhgime dhe përgjime. Policitë lokale po kryejnë veprime sekrete për të mësuar se kush janë personat që arritën ta mjekojnë atë. Ka disa versione jo zyrtare se personi ka ngelur i plagosur mund të jetë mjekuar nga mjekë në jug të vendit, por ka gjithashtu dyshime se aktualisht gjendet në Tiranë. Duke iu referuar burimeve shumë të besueshme pranë grupit të hetimit, mund të them se është identifikuar edhe për një person të tretë që konsiderohet si ndihmës në këtë atentat”, tha ajo.

Atentati ndodhi pasditen e 30 tetorit në Dobraç të Shkodrës, ku në rrugën kryesore që lidh qytetin me Malësinë e Madhe, një automjet i ka prerë rrugën një “Mercedes”-i duke qëlluar me breshëri kallashnikovi mbi të. Viktimat ishin Hamza Lici që vdiq në vendin e ngjarjes, Arlind Bushati i cili ndërroi jetë në spital dhe Flutura Basha e cila ishte një kalimtare e rastit në atë rrugë, teksa ndodhej me bashkëshortin e saj në një motor. Ndërkohë, ky i fundit, identifikuar si Bashkim Basha ndërroi jetë në spital, 5 ditë pa atentatit. Në makinën e viktimava shofer ka qenë Hamza Lici dhe pasagjer Arlind Bushati. Lici ka humbur kontrollin e makinës duke marrë para dhe motorin në të cilin ndodhej çifti Basha. Ende nuk ka asnjë person të arrestuar lidhur me ngjarjen e rëndë ndonëse ka pasur shqoërime të shumta në policia dhe marrje në pyetje.