15 vjeçari Aurel Bibaj nga Postriba i cili prej dy ditësh kishte humbur kontaktet me familjen është gjetur nga policia e Shkodrës në bashkëpunim me komisariatin nr.5 në Tiranë dhe ndihmën e familjarëve. 15 vjeçari është gjetur në zonën e Babrrusë në Tiranë ndërsa ndodhet në gjendje të mirë shëndetësore.

Mëngjesin e djeshëm pasi ka lënë vëllain në shkollë, është larguar duke mos u futur në mësim dhe nuk ka shkuar as në shtëpi. Kjo ka shqetësuar prindërit ndërsa babai i tij Agim Bibaj denoncoi në polici rastin dhe ditën e sotme edhe në media duke thënë se djali tij sipas dëshmisë së shokëve të 15 vjeçarit është larguar pasi babai i kishte bërtitur që të sillej mirë.

Pas një angazhimi të policisë, adoleshenti u gjet nga forcat e policisë dhe i është dorëzuar familjes. Tashmë do të merret në pyetje në praninë e psikologëve për arsyet e largimit të tij nga banesa dhe po ashtu do të trajtohet me psikologë në mënyrë që të kuptojë veprimin e gabuar nga ana e tij.