Personi i 3 që ka qenë në makinë në momentin që u qëllua drejt makinës me të cilin udhëtonin Hamza Lici dhe Arlind Bushati, në Dobraç është Ibrahim Lici’.
Kështu është shprehur gazetari Poli Hoxha mbrëmjen e sotme në emisionin ‘Studio Live’, në Report Tv me gazetarin Arbër Hitaj, i cili ndër të tjera tha se për këtë arsye janë duke u hetuar edhe efektivët e policisë, të cilët sipas tij e kanë lejuar atë që të largohet nga vendi ku ndodhi ngjarja.
‘Deri tani si zhvillim është se po hetohen edhe policët që kanë lejuar largimin e një personi që dyshohet se mund të ketë qenë shënjestra. Nga të dhënat e mia ai është Ibrahim Lici. Flitet se policia po hetohet se ka ndihmuar Licin për tu larguar. Policia atje është e paaftë dhe me duar të lidhura përballë grupeve kriminale”, tha ai.
Hoxha tha se tashmë duhet që të hetohet se cilët kanë qënë porositësit për atentatin që ndodhi në Shkodër, pasi autorët sipas tij tashmë janë vënë në kërkim.
‘Për këtë ngjarje ne duhet që të mësojmë për porositësit, sepse për autorët janë shpallur dy persona në kërkim. Ata kanë bërë akte dhune dhe shantazhe në qytetin e Shkodrës në mes të ditës. Janë dy persona që janë të afërt me Bajrat dhe në këtë kuptim kemi një pistë. Është marr në pyetje Safet Bajri dhe besoj se do të merret në pyetje edhe vëllai i tij”, tha ai.
Për ekspertin Fatjon Softa, duke qenë se skema e atentateve është e njëjtë, atëherë duhet që të ketë një shërbim të shtuar policor në qytetet ku ndodhin më shumë atentate.
‘Mendoj se kjo ngjarje është e rëndë. Jo çdo atentat mund të parandalohen, por në 3 vitet e fundit atentatet kanë të njëjtën skemë duhet të kishte një ndryshim të mënyrës së ngritjes dhe punës së shërbimeve. Të mos e ngresh një shërbim në Shkodër, Durrës, Vlorë dhe Tiranë që janë zona të njohura për atentate kjo është e papranueshme”, tha ai.