Pasditja e së së enjtes është shoqëruar me një lajm të mirë për volejbollin e femrave të Vllaznisë. Fjala është për rikthimin në krye të drejtimit të skuadrës kuqeblu të trajneres Nora Deda, e cila pasditen e sotme ka zhvilluar seancën stërvitore me skuadrën kuqeblu në pallatin e sportit “Qazim Dervishi” të Shkodrës.

Ish volejbollistja e njohur e Vllaznisë dhe e disa skuadrave të tjera të Shqipërisë, e cila njëherazi shërben si pedagoge e sportit pranë Universitetit “Luigj Gurakuqi” Shkodër, dha dorëheqjen me 18 nëntorin e muajit të kaluar në shenjë pakënaqësie për atë që skuadra e saj paraqiti në fushën e lojës kundër Teutës duke u mundur në Shkodër, 1-3. Pas rreth tre javësh larg skuadrës, Bashkia Shkodër që administron financiarisht ekipin e volejbollit femra, ka bindur trajneren Deda të rikthehet në drejtimin e Vllaznisë.

Lajmin e bën të ditur drejtori i zyrës së sportit pranë Bashkisë Shkodër, Auron Miloti, i cili ndër të tjera deklaron se Bashkia Shkodër ka marrë përsipër të mbështesë financiarisht në forcimin e skuadrës me lojtare të tjera cilësore, nga kampionati shqiptar, apo jashtë vendit. Gjatë periudhës së largimit të trajneres Deda, skuadra kuqeblu e volejbollit femra është drejtuar nga zëvendës trajneri Gentian Curraj, ku Vllaznia arriti të fitojë një ndeshje në kampionat me Tiranën si dhe një humbje në kupë me Partizanin. Rikthimin në detyrë për të vijuar punën në krye të Vllaznisë së volejbollit femra, është pritur mirë nga ana e skuadrës kuqeblu, e cila pritet të rikthehet tek rezultatet pozitive.