Albert Vataj
Më 4 shtator 2021, Shkodra u nda nga Paulin Preka, një prej figurave më të spikatura të skenës së humorit, vepra dhe kontributi i të cilit nuk u mat me vite, por me krijimin e një personaliteti krijues dhe interpretues, që u ngulit thellë në kujtesën e admiruesve të humorit dhe jo vetëm. “Mjeshtrit të Madh”, Paulin Preka me 38 vite karrierë në skenën e humorit, jo vetëm na bëri të qeshnim, por edhe të mendonim. Na dhuroi kaq shumë role, personazhe, karaktere, tipa e plastika, që jo vetëm dëshmuan artin e madh që ai solli në skenën e humorit, por edhe shpirtin e paepur të një sfiduesi, të një ëndërrtari që nuk e mposhtim asnjë ndalim dhe s’e nënshtroi asnjë pamundësi, për të mbërritur në majë, atje lart, atje ku u ngjitën ata që i blatuan artit shpirtin dhe jetën.
Një e nga një, ikën në udhën pa kthim, pararendës, bashkëkohës e mbasardhës të Paulinit. U ngjitën në tempull edhe ata si Paulini, me hapa të ndrojtur e me zemrën që i dridhej, dhe dolën nga “Migjeni” mbi kurora lulesh, e det lotësh.
Me ikjen e tij, Shkodra, Teatri “Migjeni”, humori shkodran, arti, u ndanë tre vite të shkuara me Paulin Prekën, me shpirtin e bukur që ai dhuroi, përmes roleve dhe karaktereve të shumta që solli, përmes lojës dhe virtuozitetit, lartësi ku ai e çoi rolin dhe karakterin, për ta ngulitur thellë në ëndjen tonë adhuruese, dhe për ta çuar lart në kultin e traditës së humorit.
Shkodra ka trashëguar një traditë të pasur të humrit, satirës, barcaletës, bejtes, sarkazmës, karikaturës, dhe krejtçfarë mëndja dhe shpirti në një nevojë për t’u ndeshur me të keqen dhe çliruar, prej çdo kufizimi, krijon të qeshurën, jeton me të duke e përdorur si një antitrup. Të gjitha ata që patën fatin të kishin artin e të qeshurës, dhe jo vetëm, si emër, jetë dhe vepër, u bënë pjesë e kujtesës së qytetit, u bënë përfaqësuesit e saj identitar, u bënë e përgjithmonshmja e Shkodrës dhe shkodranëve gjithkund ata ndodhen. Mes emrave, atyre që lartësuan traditën e humorit, Paulin Preka është ndër më të shkëlqimtit, ylli që shkëlqeu më shumë dhe më gjatë, për të mos u shuar kurrë nga dëshirimi ynë për të qshur.
Paulin Preka u lind më 2 shkurt 1935 në një familje të varfër, në një shtëpi Jerevi (përdhese), që siç ai shkruante para se t’i jepej amshimit, “jam rritur në mes të katër fëmijëve, një vëlla dhe dy motra, nga të ardhurat e krahëve të babës me profesion karrocier dhe të përkujdesjeve të jashtëzakonshme të nanës, e cila na rriti dhe na edukoi me tolerancën, besimin në Zot, me shkollim dhe dashuri ndaj së mirës.”
Mësohet se në regjistrin themeltar të Gjendjes Civile ish regjistruar me emrin Palok Prek Gjergji, por siç ndodh zakonisht në Shkodër, me të rritur “fillova të thirrem nga shoqëria Paulin Preka, emër me të cilin njihem sot nga publiku shkodranë e shqiptarë.”
Në rrëfimin për veten, Paulini shton se, “sapo u afrova vitit të tetë të fëmijërisë, baba më rregjistroi në shoqërinë e Kishës Katedrale të qytetit tim. Brënda asaj shoqërie, Dom Alfons Tracki, prift misionar gjerman dhe një mjeshtër i apasionuar mbas artit skenik, mori iniciativën për të vù në skenë melodramën “Shtatë Xhuxhmaxhuxhat” ku një nga të shtatët pata fatin të ma besonin mù, e pikërisht një nga rolet e para i quajtur Knapsi. Melodrama u pëlqye së tepërmi nga publiku artëdashës shkodranë, nga autoritetet e asaj kohe, nga autoritetet e kishës katolike, Mons. Gaspër Thaçi, Dom Mikel Koliçi si dhe nga media e atëherëshme. Në vlerësimin që na u ba gjatë interpretimit: Çesk Jubani dhe unë u vlerësuam me çmime të para. Në kënaqësinë e këtij vlerësimi mu kriju pasioni për aktorin dhe skenën, i cili më shtyu për gjithë jetën time drejtë krijimtarisë me interpretime të ndryshme të cilat po i radhis në këtë autobiografi.”
Dhe hapim kështu kapitullin e rrugëtimit të Paulin Prekës në skenë, aty ku ai jetoi dhe krijoi. “Në vitet 1945-1946, rreth moshës 11 vjeç, mësuesi Lec Sekuj vuri në skenë dramën “Djemtë e Rrugës Pal” të dramaturgut austriak për fëmijë Ernest Molnar, e cila u interpretu nga nxënësit e shkollës Pashko Vasa. Në këtë dramë interpretova rolin e Van Daurit të Këmishave të Kuqe. Rolin kryesorë e interpretoi i talentuari Çesk Jubani.”
Në kronologjinë e jertës së tij mësojmë gjithashtu se… “Nga viti 1948-1951 rrethi i jonë shfaqi tri drama të autorit rus Arkadi Gajdar: “Timuri dhe skuadra e tij”, “Komandanti i fortesës prej dëbore”, “Një mision i veçantë”. Në të tri dramat u aktivizova me mjaft ngarkesë.
Në vitin 1952, 17 vjeç, për arsye ekonomike u detyrova të hyj në punë, jo ma si pionier por si punëtor i ri.”, kishte nisur sakaq lufta për të sfiduar vështirësitë ku ndodhej familja e tij, si e shumë e shumë familjeve të tjera shkodrane.
“Në vitin 1953, me shumë vështirësi, falë vullnetit tim u aktivizova pranë Shtëpisë së Kulturës dhe po në atë verë nën drejtimin e regjisorit të mirënjohur Andrea Skanjeti, u shfaq e para premierë estradës amatore “Estrada në Penxhere”. Shfaqjen e udhëhiqnin Tano Banushi dhe unë. Shfaqja pati mjaft humor dhe sukses.:, kujton Paulini
Dhe vijojmë të shfletojmë kalendarin e hershëm, të jetës së aktorit. “Në vitin 1953-1954, kur sapo ishte krijuar Klubi i Puntorëve pranë Bashkimeve Profesionale më ftuan të luaj një rol tek drama bullgare “Traktoristat” me regjizore Violeta Sekuj. Me këtë dramë konkuruam në Takimin Zonal të Veriut ku u shpallëm Lauratë të këtij takimi. Unë u dallova me diplomë nderi për interpretim të lartë.
Viti 1957 e në vazhdim ishte mjaft i ngarkuar me aktivitete edhe pse unë punoja marangoz në kooperativën e punim drurit. Me Shtëpinë e Kulturës nën drejtimin e të mirënjohurit Andrea Skanjeti shfaqëm dramën “Rinija e Baballarëve”, një dramë sovjetike e cila zuri vendin e parë në Lëvizjen Amatore Kombëtare. Në këtë dramë m’u besua pesha ma e madhe e roleve.
Gjatë kësaj kohe, regjizori i Trupës Profesioniste Lec Shllaku më ftoi të interpretoja tek drama “Shtatë Shaljanët” në rolin e Abdullahut (biri i vezirit të Shkodrës), dramë që duke u interpretuar nga mjeshtrat aktorë të dramaturgjisë shqiptare pati një jetëgjatësi të habitshme.
Gjatë vitit 1957-1958, po me trupën amatore të Shtëpisë së Kulturës, marr pjesë tek komedia brilante e Karlo Goldonit “Gjorgj Dade” e cila u prit mjaft mirë nga publiku shkodran si dhe nga ai i Korçës, Elbasanit, Tiranës e Durrësit duke krijuar bindjen se duhej të pranohesha në mes të Trupës Profesioniste të qytetit të Shkodrës. Andrra ime 23 vjeçare u arrit dhe me atë dëshirë e pasion i jam përveshur për 38 vjet aktorit e skenës si në teatër ashtu në estradë, e cila u krijua po në atë vit që unë hyra në teatër.
Mbas 8 vjetësh që unë punoja si aktor drame, me vendim të Komitetit të Partisë kalova aktor estrade. Një vit ma vonë, për arsye të materialeve që krijoheshin me vështirësi, provova për herë të parë t’i vij në ndihmë trupës së estradës duke shkruar skeçin tim të parë “Bac Byreku” i cili u luajt nga mjeshtri Tano Banushi, Zyliha Miloti, Jolanda Shala dhe Katerina Biga. Të gjitha këto që shkruaj në këtë autobiografi janë të dokumentuara në arkivat e Teatrit Migjeni. Pra në këtë vit hyra në vargun e autorëve humoristë.”
Dhe njihemi gjithashtu me një pjesë jo të panjohur, por që shpesh kalon pa u vënë re. Dhe është fjala për krijimtarinë.
Paulini kujton në autobiografinë e tij, se që nga viti 1967 e deri sot janë shkruar nga unë me qindra e qindra skeçe, parodi, dialogje emonologje. Materialet e mija janë pëlqye nga Trupa ime e janë kërkuar e luajtur nga Trupat e rretheve të ndryshme si ajo e Peshkopisë, Kukësit, Estradës së Ushtarit, Durrësit, Beratit, Elbasanit, Pogradecit si dhe nga lëvizja amatore e qëndrave të punës të qytetit tim e nga Mirdita, Lezha, Puka e të tjerë.
Natyrisht jeta e Paulin Prekës nuk ishte një privilegj fati, por që ka fituar pasioni dhe përkushtimi, zelli dhe vendosmëria, vetëbesimi dhe kërkesa e lartë për të dhënë më të mirën. E si?! Kam interpretuar i uritur, i varfër, me tre fëmijë, i servijuar nga dashakeqas të mi, por i përkrahur dhe i inkurajuar nga kolegët e vjetër në moshë por kollosa në skenë.
Megjithatë ai i’a ka dalë, duke merituar admirimin dhe përkrahjen e një publiku që ndoqi kudo me duartrokitje, por edhe simpatinë nga institucionet ma të larta shtetërore e diplomatë. Në vitin 1974, Paulin Preka nderohet me Urdhërin “Naim Frashëri” i Klasit të III, në vitin 1980 Urdhërin “Naim Frashëri” të Klasit të II, në vitin 1988, Titullin e Lartë “Artist i Merituar”. Për të kulmuar në kreshtë të gjithë këtij vlerësimi, në vitin 1996, pak muaj përpara se të ulte siparin e karrierës si profesionist, në Takimin e Trupave Profesioniste në Tiranë, u diplomua me vlerësim karriere, si “Aktori Më i Mirë i Karrierës”.
Dhe për ta mbyllur këtë kallxim për veten, Paulini me përulësinë dhe dashamirësinë e tij karakteristike, me atë përzemërsi që e pat si një dritë reflektuese, shton se, “Jam përpjekur të jem i dashur me kolegët e mi për 38 vjet të qenies sime, me kolektivin, me të mirët e të këqinjtë, me artista e karrierista, me ata që më donin e që nuk më donin. Jam përpjekur të argëtoj publikun e varfër të asaj kohe por shumë të etur për gjininë e estradës.
Por mbyllja qe tragjike për Teatrin tim, për spektatorin tim, për qytetin tim. Ngjarjet e marsit të vitit 1997 kushtuan randë për gjith Shkodrën e në mes të sajë për artin skenik si shumë arte të tjera të qytetit të Djepit të Kulturës.
Në pamundësi me i rrezistu atij makabriteti që ngjau, mora rrugët e emigrimit për të qënë pranë fëmijëve të mi., për t’u kthyer që andej në arkmort, e cila doli më 7 shtator 2021 nga Teatri “Migjeni” i mbuluar me lule dhe lot, nën një qiell të zymt dhe lamtumirën e trishto të dhjetëra dhe qindra njerëzve, të cilët e përcollën në skenë dhe ishin edhe atë ditë aty për t’u ndarë përgjithmonë me atë që dhuroi kaq shumë humor e mirësi dhe e meritoi “Krenaria e Qytetit”.
Humori, një nga traditat e Shkodrës, pati te Paulin Preka një përfaqësues dinjitoz, një vlerë që e pasuroi humorin shkodranë dhe e shndërroi skenën në një tempull, ku fatmirësisht ngjiten breza të rinj aktorësh, që Paulinin e patën idhull dhe mësuan prej tij mjeshtërinë e të jetuarit artistikisht dhe të dhuruarit bujarisht çaste hareje dhe të qeshura.
Shkodra, ishte është dhe do të mbetet e përfaqësuar dhe e pasuruar nga vlerat dhe kontriburi që dha Paulin Preka dhe dhjetëra emra të tjera, bashkëkohës dhe aradha e gjatë e “Migjenit”.