Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka akuzuar kryeministrin Edi Rama për lidhje me atentatin e ndodhur 10 ditë më parë në Shkodër, ku humbën jetën katër persona. Gjatë një konference për shtyp, Berisha theksoi se policia nuk ka dhënë ende asnjë pistë hetimi, duke shtuar se gjithçka ka ndodhur me urdhër të kreut të qeverisë. Ai lidhi ngjarjen me zgjedhjet e vitit të ardhshëm, duke pretenduar se banda e Bajrave në Shkodër ka marrë urdhër nga Rama për të “pastruar terrenin” dhe siguruar fitoren e Partisë Socialiste në këtë qytet.
Berisha akuzoi edhe disa figura të Policisë së Shtetit për përfshirje në ngjarje të tilla, duke përmendur emra si Mondi, të cilët, sipas tij, janë të lidhur me grupe kriminale dhe që janë përdorur për të mbështetur bandat në realizimin e veprimeve të dhunshme. Kryedemokrati nënvizoi se ngjarja ishte një “masakër me licencë qeveritare”, duke akuzuar Ramën dhe strukturat e tij për mbështetje të grupeve kriminale që, sipas tij, garantojnë pushtetin e PS-së përmes dhunës dhe terrorit.
“Mirëdita dhe përshëndetje të përzemërt gazetareve dhe gazetarëve të pranishëm në sallë që ndjekin këtë konferencë shtypi, qytetarëve kudo që ndodhen.
Kaluan 10 ditë nga masakra e Shkodrës, në të cilën 4 qytetarë të pafajshëm u ekzekutuan në rrugët kryesore të qytetit në mesditë dhe gjer sot nuk ekziston asnjë pistë për hetimin e kësaj ngjarje, për shkakun e vetëm se pista e vetme është pista shtetërore.
Që ditën e parë, informova shqiptarët se kjo ishte një masakër me licencë qeveritare të Edi Ramës sepse banda Bajri është banda, e cila rrëmbeu mandatin e kryetarit të bashkisë dhe i është betuar Edi Ramës se do i garantojë mandatin në Shkodër me dhunë dhe terror.
Banda Bajri në kundërshpërblim për shërbimet kriminale që i bën Edi Ramës, qeverisë së tij, është autorizuar të pastrojë sipas gjuhës së tyre, terrenin nga çdo lloj vështirësie që mund të ketë për të siguruar mandatin.
Kur unë deklarova se pjesëmarrëse në këtë masakër është Policia e Shtetit, Mondi, i cili u duhej atyre sipas regjistrimeve për të kryer ca punë, Mondi qëndron në krye të vendosjes së narkopolicisë në shërbim të bandës.
Por nuk është vetëm Mondi.
Mondi tjetër në krye të ministrisë është një përfaqësues i njërës prej bandave më të rrezikshme të Shqipërisë dhe Ballkanit, i Troplinëve.
Ai është emëruar aty nga banda e Troplinëve për të mbuluar të gjithë veprimtarinë e tyre dhe të ortakëve të tyre në Shqipëri.
Kurse Mondi tjetër famëzi në krye të polici, i implikuar në trafiqe, por edhe në vrasje siç flitet rëndom, përfaqëson bandën e Elbasanit”, shprehet ai.