Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka dhënë një intervistë nga qelia e burgut “313”. Në një intervistë të dhënë për “Report TV”, Meta ka thënë se ai nuk e ka menduar asnjëherë arratisjen dhe u rrëmbye nga disa njerëz me maska dhe të armatosur rëndë.

Më tej kreu i PL-së shtoi se nuk ka Prokuroria e Posaçme nuk ka asnjë provë për të dhe se, dosja, të cilën ai e quan “fletërrufe” është mbushur me dëshmi të dhëna nga njerëz që kanë probleme me drejtësinë.

1. Keni kundërshtuar mënyrën e arrestimit, çfarë prisni nga ankimimi juaj? A kishit menduar të arratiseshit apo arrestimi ju gjeti të papërgatitur?

Ilir Meta: Mos vallë ju prisnit të duartrokisja rrëmbimin tim në mënyrën më banditeske, më të paligjshme dhe më antikushtetuese nga njerëz me maska, me armatim të rëndë, që s’pranojnë të identifikohen dhe që nuk paraqesin asnjë akt ndalimi apo shkresë zyrtare? Sa për arratisjen, as ka ekzistuar kjo në imagjinatën time ndonjëherë dhe kjo ka qenë dëshira e atyre që kanë kryer këtë krim të rëndë për llogari të mafias ndërkombëtare që sot kontrollon shtetin tone të kapur dhe të dështuar. Lidhja ime me Shqipërinë ka qenë dhe do mbetet e patjetërsueshme në të gjitha stinët dhe rrethanat.

2. Cilat janë provat tuaja përkundrejt akuzave për lobing, pastrim parash dhe korrupsion?

Ilir Meta: Është detyra e SPAK-ut të përmbushë barrën e provës. Por, nuk ekziston asnjë prove nga ana e SPAK kundër meje në fletërrufenë prej 165 faqesh të mbushur me intervista e dëshmi kontradiktore nga njerëz që kanë patur gjithmonë probleme me drejtësinë. Ata janë të gjithë si ai bashkëpunëtori i policisë që u përdorur nga Narkopolicia për rrëmbimin tim.

Ilir Meta akuzohet për tre vepra penale: për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje të pasurisë. Të njëjtat akuza rëndojnë edhe ndaj Monika Kryemadhit. Ndaj Piro Xhixhos, babai i Erisa Xhixhos, rëndon akuza korrupsion pasiv, ndërsa ndaj Ema Çokut rëndon akuza e pastrimit të parave. /ZËRI