Kryetari i Bashkisë Shkodër Benet Beci, i ka kthyer përgjigje të gjitha aludimeve të publikuara në media për dorëheqjen e tij nga detyra e kryebashkiakut të Shkodrës. Në një inspektim në punimet që po kryhen në pastrimin e plotë të kolektorit në zonën e Perashit ai ka deklaruar se është paraqitur në SPAK ku ka dhënë shpjegime dhe vazhdon punën normalisht.
“Ne vazhdojmë punën, sigurisht jam paraqitur për të dhënë shpjegime normalisht. Kush do të merret me llafe të merret me llafe, mendoj se kryesorja është që ne të vazhdojmë investimet, punët, Shkodra nuk ka të ndalur në rrugën që ka marrë”, tha Benet Beci.
Sa i takon ndërhyrjes për herë të parë në 30 vite, ai u shpreh se nuk ka dhuratë më të madhe se kjo për banorët e Shkodrës nëpërmjet punës.
“Unë mendoj se kjo është më e rëndësishmja për qytetin, është kolektori që në 30 vite nuk është pastru dhe ka qenë i bllokuar me ndërtime pa leje. Vazhdojmë intensivisht të punojmë dhe po bashkëpunojmë shumë mirë edhe me banorët të cilët gjej rastin ti falenderoj për mirëkuptimin e tyre, sepse sigurisht ne jemi duke punuar në oborret pranë banesave të tyre dhe po ecim besoj shumë mirë. Mendoj se është prioriteti i ndërhyrjeve të bashkisë dhe ujësjellësit. Nuk ka dhuratë më të madhe sesa pastrimi i këtij kolektori në prag të sezonit të dimrit që po hyjmë”, shtoi ai.
Prej ditësh Ndërmarrja e Shërbimeve dhe Punëve Publike të Bashkisë Shkodër në bashkëpunim me Ujesjellës Kanalizime kanë nisur punën për pastrimin e kolektorit nga Perashi në drejtim të zonës së Draçinit i cili rrezikonte qytetin sa herë kishte reshje intensive shiu.