Partia e Lirisë si dhe funksionarët e saj apo vetë personat nën akuza Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi kanë ndërmarrë një serë hapash 2 javë pas arrestimit të bujshëm të ish-Presidentit si dhe masave të GJKKO-së të kërkuara nga SPAK.
Gazetarja Klodiana Lala e cila ka ndjekur nga afër procesin, raportoi sot se zonja Kryemadhi mbërriti në SPAK në zbatim të vendimit të gjykatës për detyrimin për t’u paraqitur pranë oficerit të BKH-së.
“Të hënën e parë të çdo muaji znj. Kryemadhi duhet të paraqitet pranë oficerit të BKH-së. Ajo u tregua e përpiktë dhe hodhi firmën e saj në zbatim të vendimit të gjykatës për detyrim paraqitjeje. Në dalje thumboi kryeministrin Edi Rama, të cilin e konsideroi si satelit”, tha Lala.
Kryemadhi të shtunën ka dërguar përmes postës ankiminim e saj për masën e sigurisë detyrim për paraqitje.
“Po sot avokati Genc Gjokutaj ka mbërritur në Apelin e Posaçëm për të kundërshtuar masën e sigurisë ‘arrest me burg’, ndaj Ilir Metës. Përmes kësaj kërkese Gjokutaj kërkon shfuqizimin apo zbutjen e masës”, tha më tej Lala.
Më herët deputetët e PL dhe sekretari i Përgjithshëm i PL kërkuan informacion nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë Ilir Proda dhe ministri i Brendshëm Ervin Hoxha për arrestimin e Ilir Metës.
“Sipas letrës, kanë kërkuar informacion për planin operacional, funksionarin që i komunikoi urdhër e arrestit si dhe emrat e atyre që e arrestuan. Ata kanë caktuar si afat 7 nëntorin për përgjigjen, teksa në mungesë të përgjigjes kanë kërcënuar me kallëzim penal ndaj policisë”, raportoi gazetarja Lala.
Gjithashtu sot në SPAK ka qenë dhe Ema Çoku e cila është me masën detyrim paraqitje. “Ish-çifti Meta-Kryemadhi akuzohen për pastrim parash, korrupsion dhe fshehje e pasurisë. E gjithë akuza është bazuar në një telefon të gjetur në shtëpinë e nënës së Kryemadhit të cilin më herët e ka pasur Monika Kryemadhi”, tha Lala.