Dy vëllezër u arrestuan në Shkodër pasi akuzohen se i vunë flakën makinave që ishin në përdorim nga agjenti i krimeve Ergys Lohja. Ngjarja ka ndodhur më 30 tetor në lagjen ‘Kongresi i Përmetit, ku dy makinat në pronësi të Sabaudin Hoxhës, vjehërrit të Lohjas, u shkrumbuan totalisht nga flakët.

Të arrestuarit janë Elvis Serraj dhe Klevis Serraj. Ndërkohë është shpallur në kërkim porositësi i identifikuar si Gjekson Pusi, një person me precedentë penal.

Më 30 qershor të 2020 Gjekson Pusi u arrestua si bashkëpunëtor në vrasjen e biznesmenit Hekuran Billa në qershor të këtij viti. Sipas policisë Pusi ka qenë shoferi i Viktor Markut, i cili dyshohej si autori kryesor që qëlloi me breshëri automatiku me silenciator ndaj Billës, teksa kalonte pranë një qendre tregtare tek Komuna e Parisit.

Ndërkohë falë kamerave të sigurisë policia ka siguruar dhe pamjet e momentit kur vëllezërit hyjnë në oborrin e banesës, vënë shishen me benzinë para makinës dhe i vënë zjarrin.

“Në kuadër të operacionit u kapën dhe u vunë në pranga shtetasit Elvis Serraj ,19 vjeç dhe Klevis Serraj, 20 vjeç (vëllezër), të dyshuar si autorë të djegies së dy automjeteve. Si dhe u shpall në kërkim Gjekson Pusi 37 vjeç, banues në Shkodër, i dyshuar si porositësi i djegies së automjeteve në pronësi të shtetasit Sabaudin Hoxhës, informoi sot policia.

Gjatë kontrollit në banesën e dy vëllezërve efektivët sekuestruan veshjet, biçikleta e përdorur gjatë vendosjes së zjarrit, një armë zjarri automatik një sasi lënde narkotike kanabis dhe 18 aparate celular.

Operacioni u kodua ‘Porositësi’.