Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE) ka sqaruar se aktualisht nuk ka asnjë rritje të çmimit të energjisë elektrike për furrat e bukës. Skema e faturimit për këto subjekte ka hyrë prej muajit prill dhe është përcaktuar pas dakordësisë së plotë me vetë subjektet.

OSHEE sqaron se koncepti i “orarit pik”, i cili po diskutohet kohët e fundit është një koncept specifik i vendosur që në vitin 2016 nga ERE, si institucioni i ngarkuar me ligj për përcaktimin e tarifave në sektorin e energjisë;

– Orari pik gjatë të cilit aplikohet çmimi për energjinë e konsumuar është:

o Për periudhën 1 Nëntor – 31 Mars nga ora 18:00 deri në 22:00

o Për periudhën 1 Prill – 31 Tetor nga ora 19:00 deri në 23:00.

Vetëm gjatë orarit pik, për subjektet private, çmimi është 15% më i shtrenjtë se çmimi i zakonshëm.

Koncepti i energjisë pik është një koncept ndërkombëtar, i përdorur në gjithë Evropën dhe më gjerë.

Orari pik është orari kur konsumi i energjisë është më i lartë dhe çmimi i energjisë në tregje është mjaft i lartë. Prandaj Entet rregullatorë ndërhyjnë me masa të tilla që të favorizojnë uljen e konsumit në këto orare.

Nuk ka asnjë ndryshim nga 1 nëntori, çdo lëvizje është abuzive.

OSHEE sqaron se asgjë nuk ka ndryshuar nga data 1 nëntor. Vendimi i ERE për energjinë pik është i zbatueshëm që nga viti 2016 për gjithë subjektet private që kanë të instaluar matës inteligjent (vetëm matësit inteligjent janë të aftë të lexojnë konsumin sipas orareve).

Si rrjedhojë, çdo rritje e çmimit nga subjektet e furrave të bukës është i padrejtë dhe abuziv.