Opozita mbylli mosbindjen civile pas 3 orësh bllokimi të rrugëve. Kjo protestë ishte akti i dytë i mosbindjes civile të organizuar nga opozita pas asaj të 7 tetorit. Këtë herë, opozita protestoi duke bllokuar 6 akset kryesore rrugore që lidhin vendin. Protestuesit e opozitës bllokuan mbikalimin e Kamzës, rrethrrotullimin e Shkozetit, Bradasheshit, Rrogozhinës, Levanit dhe Milotit. Afati i bllokimit ishte orari 17:00-20:00. Protestuesit kanë lejuar kalimin e autoambulancave, ku më të shpeshtat kanë qenë kalimi i tyre në ish-sheshin Shqiponja. Me përjashtim të disa tensioneve të regjistruara kryesisht në Tiranë mes protestuesve dhe forcave të policisë, protesta e opozitës ka shkuar qetësisht, pa incidente. Në Shkozet, Milot dhe Tiranë janë djegur disa goma, por pa probleme, ndërsa policia nuk ka ndërhyrë, ndërsa i ka drejtuar thirrje protestuesve me megafon që të shpërndahen dhe të zhbllokojnë rrugët. Sekretari i Përgjithshëm i PD, Flamur Noka njoftoi nga ish-sheshi Shqiponja përfundimin e protestës, ndërsa paralajmëroi se opozita do të vijojë me aktet e saj të revoltës kundër qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama. Opozita protestoi këtë të martë, 29 tetor, kundër arrestimit të liderëve të saj, Sali Berisha dhe Ilir Meta si dhe kërkon nga mazhoranca të pranojë kërkesën për qeveri teknike.