
Opozita ka dalë me njoftim në lidhje me protestën që pritet të zhvillohet pasditen e sotme.
Në njoftim, thuhet se qytetarët që vijnë nga Dibra dhe Tirana do të mblidhen në segmentin rrugor të sheshit “Shqiponja”, qytetarët nga Durrësi, Kruja dhe Shijaku në rreth-rrotullimin e Shkozës, teksa një tjetër segment që do të bllokohet është edhe rreth-rrotullimi i Milotit nga deputetët e Kukësit, Lezhës e Shkodrës. Po ashtu, në rreth-rrotullimin e Bradasheshit do të bëhen bashkë demokratët e Korçës dhe Elbasanit. Degët e Lushnjës, Kavajës, Rrogozhinës e Divjakës janë udhëzuar të bllokojnë rreth-rrotullimin e Rrogozhinës, ndërsa ato të jugut rreth-rrotullimin e Levanit. Afati i bllokimit mësohet të jetë 3 orë, nga ora 17:00-20:00
Nga ana tjetër, për të garantuar rendin, drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda, u ka dhënë porositë vartësve të tij. Mësohet se Proda u ka kërkuar vartësve që të kenë kujdes dhe të mos provokohen nga protestuesit dhe të ruajnë qetësinë. Ai gjithashtu kërkuar që ndërhyrjet të jenë të minimizuara vetëm në raste nevoje dhe mos të krijohen përplasje të provokuara.
Proda u ka kërkuar të kenë kujdes listat me emrat e personave që kanë precedentë e të mbahen nën vëzhgim. Një kërkesë ka qenë dokumentimi i të gjitha veprimeve të jashtëligjshme. Gjithashtu, Proda ka kërkuar të sigurohet qarkullimi i automjeteve dhe qytetarëve të tjerë, të cilët nuk janë protestues.
Njoftimi i PD:
Segmenti i Sheshit “Shqiponja” është ndalesa e demokratëve të Tiranës dhe qarkut të Dibrës. Deputetët dhe drejtuesit e degëve të Durrësit, Krujës e Shijakut do të protestojnë në rrethrrotullimin e Shkozetit. Një tjetër segment që do të bllokohet është edhe rrethrrotullimi i Milotit nga deputetët e Kukësit, Lezhës e Shkodrës. Në rrethrrotullimin e Bradasheshit do të bëhen bashkë demokratët e Korçës dhe Elbasanit. Degët e Lushnjës, Kavajës, Rrogozhinës e Divjakës janë udhëzuar të bllokojnë rrethrrotullimin e Rrogozhinës, ndërsa ato të jugut rrethrrotullimin e Levanit. Çdo segment do të ketë në krye degët e PD në rrethe si dhe deputetët e qarkut.
Këto pika janë segmenti sheshi Shqiponja, ku do të jenë të pranishme degët e Tiranës dhe qarkut Dibër që do të bllokojnë hyrje-daljet në këtë rrugë dhe lëvizjen e automjeteve. Deputetët që do të jenë në këtë pikë janë Flamur Noka, Albana Vokshi, Xhelal Mziu, Petrit Doda, Asllan Dogjani, Helidon Bushati, Kreshnik Çollaku, Dhurata Çupi dhe aleatët të cilët do të jenë bashkë me qytetarët.
Pika e dytë do të jetë rrethrrotullimi Milot, ku do të vendosen deputetët e qarkut Kukës, Shkodër dhe Lezhë, përkatësisht deputetët Flamur Hoxha, Isuf Çela, Emilja Koliqi, Ramadan Lika, Greda Bardeli, Ludovik Hasanaj, Lindita Metaliaj, Elda Hoti, Kastriot Piroli.
Tek rrethrrotullimi Shkozet, do të jenë degët e qarkut Durrës, Fushë-Kruja, Kruja, Shijaku.
Në rrethrrotullimin e Bradasheshit do të jenë degët e qarkut Korçë, Elbasan me deputetët Lefter Gështenja, Qani Xhafa, Edmond Spaho, Sorina Koti, Tomor Alizoti.
Në rrethrrotullimin e Rrogozhinës, degët Kavajë, Lushnjë, Rrogozhinë dhe Divjakë me Ilda Dhori, Dashnor Sula, Bledjon Nallbati;
Në rrethrrotullimin Levan, degët e Fierit, Gjirokastrës, Vlorë, Berat, Luan Baçi, Kasem Mahmutaj, Tritan Shehu, Bujar Leskaj”.
Deputetët e tjerë Gazment Bardhi, Agron Gjekmarkaj, Oerd Bylykbashi, Jorida Tabaku Ina Zhupa, Zheni Gjergji dhe Saimir Korreshi do t’i bashkohen tubimit te sheshi Shqiponja në orën 18:00, pas përfundimit të takimit të MSA-së ku do të marrin pjesë sipas porosisë së kryetarit të partisë.