Deputeti i PD-së, Luçiano Boçi ka folur pas përfundimit të protestës ku lajmëroi se opozita do të vazhdojë me aksionin e saj deri në arritjen e qëllimeve, që janë qeveria teknike dhe rikthimi i lirive të opozitës. Në emisionin “Open” në News24, Boçi u shpreh se nëse sot bllokuan tre orë rrugët, aktet që do të pasojë në vazhdim mund të jenë edhe me të zgjatura në kohë.

“Jemi të bindur që do vazhdojmë aksionin tonë dhe mosbindjes civile. Sot akti kishte domethënie shumë të madhe, pavarësisht se paralizimi ishte i përcaktuar në tre orë. Nëse sot qëndruan tre orë janë fare pak në raport me atë se çka duhet të bëjmë. Aktet do vazhdojnë dhe ndoshta do të jenë të zgjatura në kohë deri në arritjen e qëllimit. Kemi kërkuar solidarizimin e qytetarëve, le të bëjnë edhe ata një sakrificë të vogël. Reagimet janë të natyrshme”, tha Luçiano Boçi.

I pyetur se cfarë do të bëjnë nëse nuk arrijnë qëllimin për qeveri teknike, Luçiano Boçi u përgjigj se do të vazhdojnë me akte deri në arritjen e qëllimit.

“Ne nuk ecim me sikur, sepse me sikur në Shqipëri mund të bëheshin shumë gjera. Ne po ecim me logjike politike të qartë. Do vazhdojmë me akte deri në arritjen e qëllimit.”, u shpreh Boçi.