Drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve Ilir Binaj ka prezantuar drejtuesin e ri të Hetimit Tatimor që ka qenë vend vakant deri më tani.

Anton Martini do të drejtojë një nga strukturat më të rëndësishme në përpjekjen e Administratës Tatimore kundër evazionit fiskal.

Gjatë prezantimit të tij drejtori i tatimeve Ilir Binaj është shprehur se Anton Martini falë përvojës dhe reputacionit në fushën e drejtësisë do të udhëheq edhe luftën ndaj evazionit.

“Martini vjen nga një përvojë e gjatë në fushën e hetimit duke reflektuar integritet të lartë profesional. Ai pritet të drejtojë me sukses dhe efikasitet Drejtorinë e Hetimit, si struktura pararojë në përpjekjet për të siguruar zbatimin e ligjeve tatimore”, thuhet në njoftimin e Drejtorisë së Tatimeve.

Anton Martini ka qenë prokuror i Krimeve të Rënda, dhe kandidat për Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK.