Turpi shtetëror i arrestimeve me regji

Brenda 24 orëve, SPAK-u ka kryer dy arrestime të bujshme, një nga maxhoranca, një nga opozita. Di njeri të më thotë, nëse ka pamje të deputetit Jurgis Çyrbja duke u arrestuar? Do të dështoni të gjithë, sepse pamje të tilla nuk ka. Siç nuk ka për asnjë bashkëpunëtor të Edi Ramës. Ndërsa për njerëzit e opozitës, kujdesi i Ramës dhe institucioneve të kapura është maksimal për t’u trajtuar pa dinjitet, duke i arrestuar në publik, duke i tërhequr zvarrë, siç ndodhi sot me ish-Presidentin Meta, siç ndodh, në fakt, në çdo diktaturë. Standardet e dyfishta të SPAK-ut në trajtimin e të arrestuarve i shërbejnë vetëm Edi Ramës. Por sot Rama nuk e mbulon dot më diellin me shoshë. Sot është vërtetuar plotësisht se Prokuroria e Posaçme i arreston njerëzit e politikës me regji për t’i shërbyer Edi Ramës dhe për ta dëmtuar sa më pak atë nga pikëpamja elektorale.

Për aq sa është zbuluar deri tani në media, rasti i Jurgis Çyrbjes është ndoshta më i rëndi në historinë 33 vjeçare të pluralizmit por jo i vetmi pasi tashmë çdokush e di se si dhe kush i zgjedh deputetët e Ramës në çdo qark. Çdokush e di tashmë që deputetēt apo kryebashkiakët e PS janë përfaqësues dhe vasalë të krimit dhe bandave dhe që të gjithë bashkë janë vasalë të pushtetit të një individi. Bisedat në SKY/ECC tregojnë se krimi i organizuar ka hartuar listat e PS në qarkun e Durrësit, ka caktuar edhe numrin renditës të deputetëve në këtë qark, ku drejtues politik është kryeministri i Shqipërisë Edi Rama. Por edhe pa qenë i tillë, sistemi zgjedhor imponon përfshirjen e kryetarit të partisë në hartimin e listave në çdo qark. Bisedat SKY ECC tregojnë edhe se si drejtuesit e qarqeve nuk mund të bëjnë takime elektorale pa miratimin dhe përfshirjen e krimit siç ndodhte në Shkodër por edhe në çdo qytet të Shqipërisë. Pa miratimin e Edi Ramës nuk mund të kalojë asnjë listë, asnjë rënditje. Kjo do të thotë se Edi Rama është në dijeni të plotë se kush e ka futur Jurgis Çyrbjen në listën e deputetëve dhe kush ka kërkuar që ai të jetë numri 3 në listë. Nuk ka rast më të rëndë se kaq që të faktojë paktin për zgjedhjet mes krimit dhe kryeministrit.

Por kur njerëzit akoma nuk kishin marrë vesh pse u arrestua Jurgis Çyrbja, SPAK-u arrestoi Ilir Metën, që për nga rëndësia politike bën shumë më shumë bujë se një deputet i Edi Ramës. Tani, askush nuk merret më me arsyen pse u arrestua deputeti i Ramës, nuk flasin për ndikimin e krimit të organizuar tek hartimi i listave të deputetëve të Edi Ramës. A ka shërbim më të madh sesa kaq për Edi Ramën?! Është njësoj sikur ta drejtonte vetë regjinë e SPAK-ut.
#stoplawfareinalbania