Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi ka paralajmëruar se do denoncojë penalisht këdo që ka dhënë urdhrin për futjen e policisë së shtetit në Kuvend, ditën e djeshme.
Në një konferencë për media, ai ka deklaruar se kushdo që ka lejuar futjen e forcave speciale të policisë në ambientet e Kuvendit, do të mbajë përgjegjësi penale, ndërsa shto igjithashtu se sulmi ndaj deputetëve të opozitës nga FNSH, nuk ka ndodhur kurrë në 34 vjet.
“Nuk u përgjigjem ushtarëve të bandave, përzgjedh të merrem me bandat. Ushtarët e tyre si ministri i Brendshëm Ervin Hoxha, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ilir Proda dhe drejtori i Policisë së Tiranës, Tonin Vocaj, nuk janë në fokusin e punës time.
Sot denoncoj se janë vjedhur 180 mln euro. Nuk akuzohen deputetët e opozitës se kanë vjedhur 180 milionë euro nga buxheti i shtetit vetëm në një vit. Prokuroria e Posaçme është ngritur për këtë, për të luftuar korrupsionin dhe vjedhjet e shtetit, jo për të sulmuar deputetë e opozitës.
Është e pa ndodhur kurrë në 34 vite që të sulmohen deputetët nga FNSH në mjediset e Kuvendit. Ju siguroj se do të sjell përgjegjësi penale dhe ligjore për cilindo që ka lejuar futjen e forcave speciale të policisë në ambientet e kuvendit”, tha Bardhi.