Zbardhet dëshmia e 15 vjeçarit që vrau me thikë bashkëmoshatarin e tij mbrëmjen e djeshme (14 tetor) në qytetin e Shkodrës
Burime për Report Tv bëjnë me dije se 15 vjeçari ka deklaruar në polici se ka qenë viktima ai që e ka goditur i pari.
“E qëllova me thikën e tij. Fillimisht u zumë, pastaj ai më qëlloi në supë me thikë, unë mora thiken e tij dhe e qëllova disa herë”, ka thënë autori para policisë në kushte të rënda psikologjike.
Viktima dhe autori njiheshin pasi ishin në një lagje. Sipas të dhenave në vendin e ngjarjes ka qenë edhe një femijë tjetër i vogël, informon gazetari i Report Tv dhe Shqiptarja.com.
Kur ndodhi vrasja?
Ngjarja tragjike ndodhi (14 tetor 2024) rreth orës 19:30 të në lagjen “Skenderbeg”, të qytetit. Pasi 15 vjeçari e qëlloi me thikë disa herë bashkëmoshatarin e tij, Emiljano Gjoni, u largua nga vendi i ngjarjes duke e lënë viktimën në rrugë.
Sipas hetimeve të policisë thuhet se gjithçka nisi pas një sherri.
Më pas ka qenë një kalimtar i rastit që ka gjetur të miturin të shtrirë në tokë dhe të gjakosur. 15-vjeçari ka pasur ende shenja jete dhe kalimtari e ka dërguar në spital për të marrë ndihmë mjekësore. Por fatkeqësisht ai nuk mundi t’i mbijetojë plagëve të marra dhe humbi jetën në spital.
Vetëm tre orë më pas blutë e Shkodrës bën të mundur kapjen dhe identifikimin e autorit të mitur.