Gjykata e Lartë ka rrëzuar kërkesën e Ervin Salianjit për të pezulluar ekzekutimin e vendimit të dënimit me 1 vit burg. Në dhomë këshillimi, këtë të martë togat e zeza me trupë përbërëse Ilir Panda, Sokol Binaj dhe Sandër Simoni kanë vendosur të lënë në fuqi vendimin e Gjykatës së Apelit.

Gjykata e Lartë ka vendosur: “Mospranimin e kerkeses se paraqitur nga kerkuesi Ervin Salianji, per Pezullimin e vendimit nr.2900 date 18.12.2019, te Gjykates se Rrethit Gjyqesor TIrane, lene ne fuqi me vendimin nr. 30-2024-6822, datë 26.09.2024 të Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tirane”.

Deputeti i PD është dënuar me 1 vit burg për dhe ndodhet aktualisht në IEVP Fier. Në vitin 2018, Salianji denoncoi vëllain e ish-ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj, Geron Xhafaj duke thënë se edhe pse ishte i dënuar me 7 vite burg në Itali, prej disa vitesh jetonte i lirë në Shqipëri falë mbështetjes së të vëllait politikan. Gjithashtu, Salianji denoncoi Agron Xhafajn se rezultonte i përfshirë në trafik droge Shqipëri-Itali dhe si provë për këtë u publikua një audiopërgjim.

Prokuroria e konsideroi audiopërgjimin inskenim
Përgjimet pretendoheshin se ishin bërë nga Albert Veliu (Babalja), kunati i tij Alfred Alizoti dhe gazetari Jetmir Olldashi, në prill të atij viti, në një lokal në Vlorë.

Prokuroria Tiranë dhe Gjykata e shkallës së parë konkluduan se audio-përgjimi ishte inskenim dhe i shpalli fajtorë të 4 të pandehurit, duke i dënuar. Vendimi u mor më 18 Dhjetor 2019 nga gjyqtari Artan Gjermeni, konkretisht:

Deputeti Ervin Salianji u dënua me 1 vit burgim. Albert Veliu, njohur si Babalja, u dënua me 3 vite e 8 muaj burg, Alfred Alizoti me 2 vite burgim, dënim që pretendon se e ka mbaruar, ndërsa gazetari Jetmir Olldashi u dënua me 6 muaj burg, dënim zëvendësohet me 100 orë pune.

Në përfundimet e prokurorisë u vlerësua se “të pandehurit Albert Veliu, Fredi Alizoti, Jetmir Olldashi dhe Ervin Salianji, në bashkëpunim me njëri tjetrin dhe nisur nga motive personale, kanë krijuar një provë të rremë në formën e një audio përgjimi me qëllim ngritjen e një dyshimi se nga ana e Geron (Agron) Xhafaj, ishte konsumuar një vepër penale në fushën e narkotikëve”.

(BalkanWeb)