Një polic i pikës kufitare të Hanit të Hotit është ndaluar nga Agjencia e Mbikqyrjes policore pasi akuzohet për shpërdorim detyre dhe korrupsion.
Njoftimi
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Shkodër – Lezhë), ka ekzekutuar urdhërin e ndalimit të punonjësit të policisë Inspektor P.Q., me detyrë Kontrollor pranë Pikës së Kalimit Kufitar Hani i Hotit, i dyshuar për veprat penale “Shpërdorim i detyrës” dhe “Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.
Nga hetimet rezultoi se punonjësi i policisë nuk ka marrë masat për ndalimin e një shtetasi malazez, i cili gjatë verifikimit nga pika e kontrollit, rezultoi në kërkim nga Interpoli.
Hetimet vazhdojnë për zbardhjen e plotë dhe përfshirjen e mundshme të punonjësve të tjerë në këtë ngjarje.
AMP mbetet e përkushtuar në misionin e saj për garantimin e zbatimit të ligjit dhe fton qytetarët të denoncojnë çdo rast të abuzimit apo shkeljes së ligjit nga ana e punonjësve të strukturave mbikëqyrëse, duke telefonuar në numrin e gjelbër 0800 90 90.