Gazetari Artan Hoxha, i ftuar në emisionin “Kjo Javë” në News 24 ka komentuar edhe mosbindjen civile të opozitës më datë 7 tetor 2024. Hoxha tha se u mendua se 7 tetori do ngjasonte me 21 janarin. Ai u shpreh se u duk që në fillim që 7 tetori nuk do ishte një “21 janar”, sepse protesta nisi në darkë dhe jo më herët.
Më tej, Hoxha theksoi se Garda e Republikës edhe sot e kësaj dite përdor të njëjtën formë komunikimi si në protestën e 21 janarit, me radio, pasi kjo mënyrë është më efikase për të bashkërenduar veprimet. Sipas Hoxhës, në protestën e 7 tetorit, opozita u kujdes më shumë për flakadanët dhe për “dekorin” e protestës, me qëllim që mosbindja civile të pasqyrohej në mediat e huaja.
Artan Hoxha: Garda nga ajo që pamë në protestën e 7 tetorit, ishte prezent për të regjistruar dhe filmuar çdo gjë. Komunikimi me radio vazhdon të jetë njësoj. Garda e përdor të njëjtën mënyrë komunikimi, pra në radio, sepse iu jep mundësi të koordinojnë veprimet. Përgatitjet e 7 tetorit ishin sikur do ishte 21 janari. Por nuk ndodhi kështu, edhe sepse nisi në darkë dhe zakonisht kur protesta nis në darkë, nuk është se përfundon me diçka madhore. Në ndryshim nga 21 janari, në këtë protestë u kujdesën më shumë për molotovët dhe flakët, që të kishte efekt në mediat ndërkombëtare. Policia përdori gaz të ekzagjeruar në parlament. Gazi përdoret me tepri, sepse për një orë të nxjerrë jashtë kontrollit.