Partia Demokratike ka publikuar mesazhin e shkruar nga burgu të ish-deputetit demokrat, Ervin Salianji. Përmes një letre, Salianji thotë se ata që po korrin frikën që mbollën vetë teksa shton se sot opozita është më e forcuar.

Në mesazhin e tij, ish-deputeti demokrat shprehet se të humbësh lirinë duke fituar besimin në sakrificë është forma më e lartë e fisnikërisë civile. Teksa bën thirrje për qytetarët që të marrin pjesë në tubim, Salianji thotë se të fitosh lirinë duke protestuar me besimin që shqiptarët meritojnë një tjetër zgjidhje, është rruga e duhur.

Mesazhi i Salianjit nga burgu:

Në këto orë, ata po korrin frikën që mbollën vetë!

E dimë që menduan se do na frikësonin, e sot më shumë na forcuan. Qëndresa jonë është shpërbërja e tyre! Ne e dimë që shumë nga ne sakrifikojnë e rezistojnë sepse na takon ne së pari të jemi muri që ndal të keqen. Na takon ne dhe vetëm ne të jemi forca e shembullit.

Miq,

Të humbësh lirinë për të fituar forcën e goditjes ndaj padrejtësisë, është zgjedhje e ndërgjegjies. Të humbësh lirinë në betejë për të fituar demokracinë e qeverisje të mirë për njerëzit, është vlera më e lartë.

Të humbësh lirinë duke fituar besimin në sakrificë është forma më ë lartë e fisnikërisë civile. Të fitosh lirinë duke protestuar me besimin që shqiptarët meritojnë një tjetër zgjidhje, është rruga!

Reago, mos humb veten, as dinjitetin, as të drejtat!

Reago, sepse forca dhe e drejta janë me ty!

Reago! Reago për pagën e degraduar; për fitimin e munguar; për pronën e pafituar, për jetën e shtrenjtuar, për fjalën e cunguar, për shpresën e mpirë, për një Shqipëri më të mirë.

Populli shkund çdo tirani!