Disa shtëpi dhe rrugë janë përmbytur të premten në veri të Malit të Zi, pasi dy lumenj dolën nga shtrati si pasojë e reshjeve të dendura të shiut në dy ditët e fundit.
Kryetari i komunës së Shavnikut, Jugosllav Jakiç, tha se dy lumenj dolën nga shtrati në pjesën e Parkut Natyror Komarnica, në veri të vendit. Ai shpërndau në rrjetet sociale pamje që shfaqin lumenjtë e fryrë dhe shtëpitë e përmbytura përreth.
Si pasojë e përmbytjeve, qarkullimi në disa fshatra të kësaj komune u ndërpre. Reshjet e mëdha të shiut e kanë rritur nivelin e lumenjve edhe në pjesën qendrore të vendit. Për shkak të reshjeve të dendura është ndërprerë qarkullimi mbi dy ura dhe në një rrugë në Danilovgrad, rreth 20 kilometra larg Podgoricës.
Reshjet e dendura të shiut shkaktuan probleme në qarkullim, ndërsa erërat e forta shkulën pemët nga vendi.