Klubi i Futbollit Vllaznia ka marrë një tjetër dënim nga ana e Komisionit të Disiplinës dhe Etikës pranë Federatës Shqiptare të Futbollit. Ndëshkime këto që për hirë të së vertetës vijnë në adresë të klubit kuqeblu për të disatën herë brenda këtij sezoni futbollistik.

“KF Vllaznia, për sjellje të gabuar të spektatorëve duke hedhur sende në fushën e lojës dhe duke ndezur mjete piroteknike, në bazë të neneve 17/2/b dhe 17/2/c të KDE, dënohet me gjobë në masën 100.000 (njëqind mijë) lekë.
Zyrtari i KF Vllaznia, Altin Nikshiqi, për sjellje josportive ndaj zyrtarëve të ndeshjes, në bazë të nenit 14/1/j të KDE, dënohet me 4 (katër) ndeshje pezullim nga veprimtaritë.”, citohet në njoftimin zyrtar të publikuar nga Federata Shqiptare e Futbollit.
Në të njëjtin vendim, masë ndëshkuese ka marrë edhe lojtari i KF Vllaznia U-19, Hazret Shimaj, për sjellje josportive ndaj zyrtarëve të ndeshjes, duke u dënuar me 4 ndeshje pezullim nga veprimtaritë sportive.

Pjesë e ndëshkimit nga ana e Komisionit të Disiplinës dhe Etikës pranë Federatës Shqiptare të Futbollit, ka qënë edhe Basania FC, skuadër që përfaqëson bashkinë Vau Dejës në kategorinë e dytë të futbollit shqiptar. Motivacioni i dënimit është për sjellje të gabuar të spektatorëve duke hedhur sende në fushën e lojës dhe duke mos garantuar sigurinë e zyrtarëve të ndeshjes, duke u dënuart me gjobë në masën 200.000 lekë.