Anija e mallrave Kathrin, për të cilën organizata ndërkombëtare joqeveritare Amnesty International (AI) beson se, ndër të tjera, po transporton eksploziv në Izrael, duhet të mbërrijë në portin e Koprit në Slloveni.
Këtë e ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë Zyra e kryeministrit të Sllovenisë, Robert Golob, por pa dhënë informacion për datën e saktë.
Ky informacion, ndonëse i pasaktësuar, është ndër të dhënat e rralla zyrtare për anijen MV Kathrin, e cila që prej datës 21 korrik lundron nga Vietnami drejt Portit të Koprit në Adriatik, i cili, siç tha zyra e Golobit, do të shërbejë si pikë transiti drejt vendeve të Bashkimit Evropian (BE), për ngarkesën që transporton anija.
“Porti i Koprit është pika hyrëse në BE. Kjo do të thotë se ngarkesa vazhdon rrugën drejt destinacioneve në BE”, thuhet nga Zyra e kryeministrit të Sllovenisë.