Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, ka deklaruar se sezoni veror i këtij viti, ishte një sezon turistik shumë i suksesshëm.
E ftuar në emisionin “Kjo Javë” në News24 me gazetaren Nisida Tufa, Kumbaro u shpreh se referuar shifrave, kishim një rritje të numrit të turistëve dhe të ardhurave të përfituara prej saj.
“Deri në fund të gushtit mund ta konsiderojmë një sezon verior të suksesshëm. Nëse gushti u mbyll me 8.5 milionë vizitorë që e shprehur në përqindje krahasuar me të njëjtën periudhë të viti të kaluar, kemi rreth 20 përqind më shumë vizitorë të huaj. Pra e theksojmë vizitorë të huaj sepse është e vështirë për momentin të llogarisim turizmin vendas, por që është një tjetër fluks, jo vetëm i banorëve që jetojnë dhe janë rezidentë në Shqipëri, por edhe i shqiptarëve që kanë vendqëndrim dhe punë në shtete të tjera, kur futën në territorin tonë, futen me pasaportë shqiptare. Ata nuk i llogarisim dot në këtë shifër. Kriteri që kemi zgjedhur është që vizitorët që hyjnë në sistemin TIMS në të gjitha pikate kufirit me pasaportë të huaj, i llogarisim si turistë të huaj”, u shpreh ajo.
Kumbaro shtoi se numërimi i turistëve jo rezidentë që vijnë në vendin tonë, bëhet nëpërmjet sistemit TIMS.
Ky sistem sipas saj mundëson përcaktimin e prejardhjes, moshës edhe nëse ky turist ka ardhur disa herë apo vjen për herë të parë në vendin tonë.
“Sistemi TIMS është mënyra më e pagabueshme e përllogaritjes, sepse çdo gjë është elektronike dhe përcaktohet kollaj. Po ky sistem na ndihmon të caktojmë prejardhjen, moshën edhe nëse ka ardhur disa herë apo vjen për herë të parë.
Krahë saj është gjithë sistemi i statistikave të INSTAT të cilat vetëm nëse i nxjerrim numrin e vizitorëve të huaj ditët e para të muajit pasardhës, INSTAT ka një tjetër metodologji, llogarit netë-qëndrimet, preferencat për turizëm në mal apo fushë, sepse funksionojnë me kampione sondazhesh”, sqaron ministrja.
Kumbaro vijon se n ë 6 muajt e parë 2024, nga tur-operatorët privatë që kanë një tjetër instrument që janë rezervimet, kontratat e lidhura dhe numri i vizitorëve që hyjnë në Shqipëri, shifra që krahasuar me vjet, shfaqnin rritje 20-30- 40 përqind më shumë në sektorë të ndryshëm.
“Ishte i suksesshëm sepse ishte një sezon i sigurt, që të gjitha komentet e turistëve qoftë edhe në rrjetet sociale, flisnin për një perceptim dhe për produkte të kënaqshme. Patëm numrin më të ulët të aksidenteve“, thekson ajo.
(BalkanWeb)