Gazetari investigativ Artan Hoxha komentoi në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, përdorimin e dronëve për të futur sende të paligjshme në burgjet e vendit, siç dyshohet se u tentua para pak ditësh në burgun e Burrelit.
Hoxha tha se shqetësimi kryesor është ai që ngriti drejtori i burgjeve sot në Kuvend, që tha se nuk i kemi burgjet të mbrojtura nga dronët. Hoxha shtoi se dronët mund të shërbejnë për vrasje.
“Kanë para, nuk i kushton droni. Ka nevojë për lëndë narkotike, nëse prishet sistemi nga dera, përshembull dihet kush e fut në burgun e Peqinit. Nëse mbyllet linja përdoret droni. Janë përdorur edhe më parë.
Dëgjova drejtorin e burgjeve që tha se nuk kemi mbrojtje kundër dronëve. Çfarë t’i bëjë polici asaj, ti gjuajë me pushkë?
Ka qenë Shënkolli, Peqini, Burreli, por sa nuk janë kapur? Tani, urojmë të jetë dron i vogël dhe të mbajë pak peshë, sepse droni i madh mban shumë gjëra brenda.
Nuk çuditem, çojnë celularë, drogë, apo gjëra të tjera.
Ajo që ngriti drejtori i burgjeve, sot është që ne duhet t’i kemi burgjet të mbrojtura edhe nga dronët sepse mund të shërbejnë për vrasje.
Nëse mendjet diabolike do t’i përdorin për atentate, problemi do të jetë shumë i madh, duhet t’ju paraprijmë ngjarjeve”- tha Hoxha.