Dy persona kanë mbetur të plagosur me armë paraditen e sotme në Vrakë të Malësisë së Madhe. Dinamika e ngjarjes dhe arsyet mbeten ende të paqarta.
Autori Lul Rakaj ka qëlluar Besmir Çofin dhe Avenir Hasanajn teksanë hyrje të një lokali rreth orës 09:45 të 15 shtatorit. Të dy janë transportuar në spitalin rajonal të Shkodrës për ndihmë mjekësore.
Shërbimet e Policisë kanë shkuar menjëherë në vendngjarje bashkë me grupin hetimor dhe drejtues të Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër.
Në ndihmë të Policisë Vendore për kapjen e autorit kanë shkuar dhe grupe të Forcës Kombëtare të Sigurisë, Njësia Shkodër dhe vijojnë kontrollin e zonës dhe në ambiente të ndryshme ku dyshohet se mund të jetë fshehur autori i dyshuar.
Grupi hetimor në drejtimin e Prokurorisë po punon për zbardhjen e rrethanave dhe dokumentimin ligjor të rastit.