Skandali i mbetjeve toksike të kompanisë KURUM që po tregtoheshin nga kompania tjetër “Sokolaj” drejt Azisë (Singapor dhe Tajlandë), pritet të jetë sot në qendër të debatit politik në Kuvend.
Gjatë seancës plenare në pikat e rendit të ditës është parashikuar që të mbahet interpelanca e kërkuar nga Gazment Bardhi me kryeministrin Edi Rama në lidhje me faktet e bëra publike për transportin e paligjshëm të mbetjeve të rrezikshme drejt Kinës dhe Tajlandës. Burime për Report Tv bëjnë me dije se kreu i qeverisë pritet të jetë vetë i pranishëm në interpelancën me Gazment Bardhin.
Në kërkesë thuhet se rastet e përsëritura të konstatuara të eksportit të mbetjeve toksike ngrenë dyshime serioze se Shqipëria është përfshirë në një tregti të paligjshme ndërkombëtare të mbetjeve të rrezikshme. PD thotë se qeveria shqiptare duhet të informojë Kuvendin dhe opinionin publik se për çfarë bëhet fjalë, kujt i përkasin mbetjet e rrezikshme dhe të gjitha detajet e tjera që lidhen me këtë veprimtari.
Po sot pritet që PD të zhvillojë edhe një interpelancë me ministren e Infrastrukturës, në lidhje me protestat e banorëve për bllokimin e hyrje-daljeve në zonat e tyre të banimit pas ndërtimit të aksit Thumanë Kashar. Një ditë më parë kreu i PD-Demokratët Euroatlantikë dega Krujë, Sabah Sheta bëri me dije arritjen e një zgjidhje, ndërsa ministria thotë vetëm se do të realizohet projekti fillestar i Korridorit blu.
Një tjetër pikë e rëndit të ditës është edhe miratimi Aktit Normativ për ndryshimet në Urdhrin e Mjekut, të cilin qeveria e ndryshoi pas skandalit tek Onkologjiku, dhe që kufizon të drejtën e mjekëve që punojnë në shtet, të punojnë edhe në privat.
Në seancën pritet që të diskutohet edhe mandati i Olta Xhaçkës, për të cilin Gjykata Kushtetuese ka urdhëruar deputetët të votojnë për ta dërguar atë në Kushtetuese.