Partia Socialiste i ka kushtuar një vëmendje të veçantë qarkut të Tiranës, ndërsa ka nisur punën për zgjedhjet parlamentare 2025. Si qarku më i madh dhe që nxjerr numrin më të madh të deputetëve, për herë të parë kryesocialsiti Edi Rama ia beson 3 drejtuesve politikë.

Erion Veliaj u konfirmua si drejtuesi politik i qarkut të Tiranës, i cili në zgjedhjet vendore të 2023 fitoi 4 nga 5 bashkitë, përveç asaj të Kavajës. Krahas tij në terren do të zbresin edhe Ogerta Manastirliu dhe Elisa Spiropali, e cila në zgjedhjet parlamentare udhëhoqi fitoren historike të PS në Shkodër. Kjo bashki për herë të parë në historinë e pluralizmit politik u fitua nga PS, ndërsa tashmë betejën për qarkun e Shkodrës në zgjedhjet 2025, Rama ia besoi kryebashkiakut Benet Beci.

Sekretarit të Përgjithshëm të PS, Blendi Klosit nuk i është besuar asnjë qark, ndërsa ai drejtonte qarkun e Vlorës, pas largimit të Arben Ahmetajt nga çdo post drejtues i PS për shkak të llogarive me drejtësinë. Në Vlorë është dërguar Bledi Çuçi, i cili në 2021 ishte në Berat. Kryesocialisti Rama ia besoi qarkun e Beratit kryebashkiakut Ervin Demo.

Nga qarku i Elbasanit ikën Damian Gjiknuri, ndërsa vendi i tij zëvendësohet me Arbian Maznikun, i cili iu bashkua kabinetit qeveritar të Ramës si ministër i Shtetit për Pushtetin vendor më shtator 2023.

Nga Fieri largohet Taulant Balla, i cili në këto zgjedhje do të ketë një detyrë të re, atë të shefit politik për Diasporën, nisur edhe nga ndryshimet e reja zgjedhore që lejojnë votën e emigrantëve në zgjedhjet 2025. Qarku i Fierit do të udhëhiqet nga zv.kryeministrja Belinda Balluku, e cila largohet nga Dibra.

EMRAT E DREJTUESVE NË QARQE
Tirana- Elisa Spiropali, Erion Veliaj dhe Ogerta Manastirliu
Durrës- Emirjana Sako, ikën Ardian Çela
Shkodër- Benet Beci, ikën Elisa Spiropali
Lezhë: Ulsi Manja, konfirmohet
Kukës: Pandeli Majko, konfirmohet
Dibër: Blendi Gonxhe, ikën Balluku
Elbasan: Arbian Mazniku, ikën Damian Gjikunri
Fier: Belinda Balluku, ikën Taulant Balla
Korçë: Niko Pelshi, konfirmohet
Gjirokastër: Mirela Kumbaro, konfimrohet
Berat: Ervin Demo, ikën Bledi Çuçi
Vlorë: Bledi Cuçi, ikën Blendi Klosi
Shef politik për Diasporën- Taulant Balla