Një 68-vjeçar ëhstë arrestuar në Malësi të Madhe pasi është kapur duke kultivuar kanabis në fshatin Shegan. Gjatë kontrolleve te territorit me dron, 68-vjeçari është kapur duke kultivuar 62 fidanë kanabis.
Kanabisi i zbuluar u asgjësua, ndërsa 68-vjeçari Gjek Kaçaj dyshohet se është autor i kultivimit të 103 fidanëve kanabis me datë 24.08.2024 në territorin e fshatit Gashaj.
“Në vijim të megaoperacionit kombëtar të koduar “Territor i pastër”, shërbimet e Komisariatit të Policisë Malësi e Madhe, gjatë kontrollit të territorit në bashkëpunim me SPK Bajzë, duke përdorur dronë për monitorim ajror, në njësinë Administrative Kastrat, në fshatin Shegan, kanë konstatuar të mbjella në tokë 62 fidanë të dyshuar kanabis.
Shërbimet e Policisë kanë organizuar punën për identifikimin e autorit. Bazuar dhe në inteligjencën policore shërbimet e Policisë bënë të mundur kapjen dhe arrestimin në flagrancë të shtetasit Gjek Kaçaj, 68 vjeç, banues në fshatin Shegan, i dyshuar si autor i kultivimit të 62 fidanëve kanabis, të cilat u asgjësuan nëpërmjet djegies.
Gjithashtu bazuar në hetime dhe inteligjencën policore dyshohet se 68-vjeçari është dhe autor i kultivimit të 103 fidanëve kanabis të asgjësuara nga Policia me datë 24.08.2024 në territorin e fshatit Gashaj, Njësia Administrative Kastrat”, njofton policia.
Vijon puna për identifikimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale.