Katër plumba janë qëlluar mesditën e sotme ndaj një Range Rover në lagjen Partizani në Shkodër. Bëhet me dije se u qëllua ndaj automjetit me targa AB 230 EO në pronësi të Sokol Kajoshit.
Personi që u qëllua me armë zjarri në Shkodër teksa po lëvizte me Range Rover ka qenë Arjon Kajoshi, djali i Sokol Kajoshit, i cili është pronar me letra i makinës. Menjëherë pas të shtënave, ka braktisur makinën dhe është larguar.
Sakaq, është bërë i mundur edhe identifikimi i autorit të të shtënave me armë ndaj Arjon Kajoshit. Bëhet fjalë për Alban Bruçin, të cilit i është bërë një atentat dy vite më parë, por që mundi t’i shpëtoj.
Ngjarja e sotme dyshohet të jetë hakmarrje për rrahjen e 62-vjeçarit, Vladimir Bruçi, të atit të Albanit, për vendin e parkimit në fillim të muajit qershor. Në mesin e 5 personave që janë shpallur në kërkim në atë kohë ishte edhe Arlind Kajoshi, djali i Sokol Kajoshit.
‘Rreth orës 12:30, në lagjen “Partizani”, dyshohet se është qëlluar me armë zjarri në drejtim të një automjeti “Land Rover” në lëvizje, në pronësi të shtetasit S.K.
Nga të shtënat nuk ka përsona të lënduar.
Shërbimet e Policisë kanë ngritur pika kontrolli në hyrje-dalje të qytetit dhe vijojnë kontrollin në zonë për kapjen e autorit/ve.’, njofton policia.