Shtatori ka nisur, dhe së bashku me të, ky muaj shënon edhe nisjen apo vazhdimin e një viti pas vemëndjes që merr sezoni turistik.
Nëse politika ka “ndezur” motorët e angazhimit për betejë opozitare apo vijimin e reformave të mazhorancës, vjeshta pritet të shënojë edhe një moment të rëndësishëm për qytetin e Shkodrës.
Janë një sërë investimesh të rëndësishme që do të startojnë në këtë stinë për të vijuar më pas me afatet e përfundimit të tyre.
Hyrja e Shkodrës, rruga Shirokë – Zogaj, Transformimi i zonës së Zdrales, dy shkolla të rikonstruktuara nga themelet, dhe reabilitimi i rrugëve të zonës së Fermentmit, janë 5 ndërhyrjet e mëdha që pritet ta kthejnë Shkodrën në “kantier” pune.
Burimet bëjne me dije se hyrja e Shkodrës pritet të nis në fillim të muajit Tetor së bashku me rikualifikimin e plotë të zonës së Zdrales për të cilën është lidhur edhe kontrata me firmën kontraktuese fituese të tenderit.
Po ashtu, edhe për rrugën Shirokë – Zogaj, e shumë diskutuar dhe shtyrë në afate duket se ka ardhur më në fund drita jeshili ne lidhjen e kontratës dhe pritet vetëm nisja e punimeve gjatë muajit Tetor.
Për dy shkollat, “Ndre Mjeda” dhe “Kolë Idromeno” këto dy investimi janë përmbyllje të procesit të tenderimit, ndërkohë që data për nisjen e punimeve nuk është përcaktuar ende për shkak edhe të ndikimit që do të ketë në lëvizjen e nxënësve nga shkollat respektive.
Megjithatë, këto janë 5 prej investimeve madhore, ndërkohë që në proces në aspektin infrastrukturor në Shkodër pritet të përfundojnë edhe tregu i Rusit dhe rikonstruksioni i bllokut të pallteve në rrugën “Isuf Sokoli”, të cilat kanë nisur dhe janë proces pune.
2024-a, pritet të mbyllet me një sërë investimesh për të vijuar me 2025-ës e cila të paktën në dukje, duket se do e gjejë Shkodrën të rrethuar nga kantiere ndërtimi “Kujdes, këtu punohet”!