Mbledhja e Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike është shoqëruar me debate dhe tensione, ku protagonist ishte Myslim Murrizi, i cili nuk u përmbajt me kritikat e tij.
Murrizi e filloi kritikën e tij duke thene: “Do të mërziteni nga ajo që do them, por nuk kam problem.” Ai i bëri thirrje Palokës dhe të tjerëve që të mos nxjerrin mediat jashtë nga diskutimet.
Murrizi vijoi duke thënë se edhe pse Berisha tha “sulm”, trajneri është me të kuqe, duke iu referuar arrestit në shtëpi të kryedemokratit.
“Berisha tha “sulm” por ne e kemi trajnerin me te kuqe. Me çfarë ta bëjmë sulmin me mbrojtës? Kush ka gjuajtur nga ju?” tha ai.
Murrizi iu drejtua më pas Flamur Nokës, duke akuzuar këtë të fundit se ka ndikuar në listat e drejtuesve politikë të formuluara nga Berisha.
“Berisha i ka bërë listat e drejtuesve politikë, por ke qenë ti Flamur që i ke fry në vesh”, tha ai, ndërsa shtoi se “demokratët nuk mund të motivohen kur figura si Tabaku apo Gjekmarkaj kanë thënë se “Berisha vdiq politikisht” apo se “do të hidhen nga ballkoni po erdhi Berisha”.
Nga ana tjetër Edi Paloka replikoi duke theksuar se qëllimi i tyre ishte të mundësonin një qeveri teknike dhe se askush nuk i kishte hequr të drejtën e fjalës. Ai nënvizoi se, pavarësisht përçarjeve, kishte ende një mundësi për të punuar së bashku për të arritur qëllimet e partisë.
Flamur Noka, në përgjigje të akuzave të drejtuara nga Murrizi, theksoi se drejtuesit politikë janë kompetencë e Kryetarit të PD-së dhe se ndikimi i tij ishte i kufizuar në këtë proces, pasi sipas tij “Berisha nuk ndikohet”.
Ai e pranoi se kishte defekte dhe të meta në parti, por e theksoi se Rama kishte investuar shumë për të ndarë dhe përçarë partinë. Noka nënvizoi rëndësinë e respektimit të institucioneve të partisë dhe theksoi se ata po hynin në një “betejë pa kthim” për të ndaluar sulmet e brendshme dhe për të përballuar qeverinë aktuale.
Pas mbledhjes së Këshillit Kombëtar të PD-së, Mysim Murrizi ka deklaruar se do të marrë pjesë në primaret për emrat e kandidatëve për deputetë në zgjedhjet e 2025.
Ai u shpreh se nga PD nuk është larguar asnjëherë, por pretendon se është larguar nga Lulzim Basha.
“PD u përket atyre që e kanë themeluar dhe kanë qëndruar. Unë do të vazhdoj të flas derisa të jem anëtar i PD-së. Më kanë përjashtuar, nuk jam larguar ndonjëherë. Kam qenë i përjashtuar nga Luli. Kam gjet një artificë për të qenë kandidat në 2021. Patjetër që do garoj, kam ambicie për të qenë kandidat, jo deputet. Unë kërkoj lista të hapura. Në kuvend duhet të vish nga vota e qytetarit, jo nga firma e kryetarit”.
I pyetur në lidhje me drejtusit e qarqeve për fushatën elektorale 2025, Murrizi tha se është kundër sepse sipas tij duhet të ishin zgjedhur me votë.
“Ka deputetë dhe ish-deputet që shohin në filxhan. Unë dua të respektohet statuti. Nuk e gëzojnë respektin, duam të njohim si drejtues ata që vihen dhe votohen nga vota jonë”, tha Murrizi.