Marklen Haka, i cilësuar si ” i forti” i Niklës dhe i akuzuar për vrasjen e mbetur në tentativë të Durim Bami është arrestuar ditën e sotme. Haka ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar në kuadër të operacionit të SPAK “Revanshi”, i cili ka goditur disa nga eksponentët më të njohur të krimit dhe disa grupe kriminale.
Sipas dosjes së SPAK dhe përgjimeve të Sky ECC, Marklen Haka ka patur rolin e sigurimit të informacioneve për lokalizimin e Durim Bamit me qëllim vrasjen e tij. Këto informacione i ndante me shtetasin Emiljano Shullazi me të cilin komunikonte me aplikacionin SKY ECC.
Pjesë nga dosja e SPAK:
Në një bisedë në datën 10 janar 2020, Emiljano Shullazi komunikon me Marklen Hakën në lidhje me Valter Bamin, i cili ka lëvizur me një makinë “Range Rover”.
Emiljano Shullazi shprehet në një moment: “Kape mos ja zgjat, se jam ktu dhe robt që janë jashtë me fol kuptohet dhe e kanë pak problem me ardh në Nikël dhe me mbaru punë. Po të jem vetë e mbaroj aty tek dera e shtëpisë. Ky legeni që është këtu në burg Rraja (Redjan Rraja) thotë që Duri (Durim Bami) është më i fuqishmi aty, i bën reklamë.”
Në një tjetër bisedë një ditë më vonë, Emiljano Shullazi i kërkon Hakës të angazhojë shtetasin Albert Zaja për të vrarë Durim Bamin.
“Ngreje pak këtë Zajën se ju aty te bilardo e keni kollaj dhe në darkë nuk kapim mirë kamerat.”- i shkruan Shullazi.
Në vazhdimësi dyshohet se Marklen Haka i jep informacione Shullazit në lidhje me automjetet dhe lëvizjet që kryen Durim Bami. Emiljano Shullazi i shkruan: Si t’ja bëjmë me e kap k….. ma e rrjep ma e torturu, ishalla ta mbysin fort. Se tani s’ka blind që e ruan…”.
GJKKO ka caktuar masën e sigurisë “arrest në burg” për Marklen Hakën për veprat penale “Vrasje me paramendim”, e mbetur në tentative, në dëm të shtetasit Durim Bami, ngjarje e ndodhur në datën 04.11.2020 në qytetin e Tiranës, kryer në formë të veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga grupi ; strukturuar kriminal dhe Organizata kriminale “. “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje në dëm të shtetasit Durim Bami, kryer në formë të veçantë e bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, në bashkëpunim në formën e “Grupit të strukturuar kriminal”.