Numri i shqiptarëve të përfshirë në krimin e organizuar në Gjermani është rritur, e theksuar kjo në raportin më të fundit të Zyrës Federale të Kriminalistikës, BKA, për vitin 2023.

Raporti i prezantuar në Berlin evidenton një rritje të shtetasve shqiptarë të dyshuar për aktivitet kriminal. Nga 254 që ishte në vitin 2022, ky numër llogaritet tani në 285. Përveç shqiptarëve nga Shqipëria, rreth 100 të dyshuar vijnë nga Kosova. Shqetësues konsiderohet fakti që 40% e shqiptarëve të përfshirë në këto aktivitete kriminale janë persona që kanë kërkuar azil në Gjermani dhe kanë përfituar nga sistemi social. Në këtë grup, shqiptarët zënë vendin e dytë, pas shtetasve sirianë.

Raporti i BKA-së tregon se grupet kriminale shqiptare janë të përfshira gjithnjë e më shumë në tregtinë dhe trafikimin e drogës. Aktiviteti kryesor i këtyre grupeve është trafiku i kokainës dhe produktet e kanabisit. Sipas raportit, në vitin 2023 u zhvilluan 23 procese hetimore për shqiptarët për trafik kokaine dhe 15 për kontrabandë me produkte kanabisi.

Një aspekt tjetër i kriminalitetit të shqiptarëve që del në pah nga ky raport është rritja e dhunës dhe e përdorimit të armëve të zjarrit. Grupet gjithashtu kanë filluar të përdorin teknologji moderne për të anashkaluar autoritetet, përmes komunikimeve të koduara dhe përdorimit të teknologjive të reja, duke e bërë më të vështirë ndjekjen e tyre. Në raport, shqiptarët renditen të dytët pas gjermanëve sa i përket përdorimit të teknologjive të tilla, duke kaluar grupe të tjera si ato turke, serbe dhe italiane.