Partia Demokratike do t’i zgjedhë kandidatët për deputetë, nëpërmjet procesit të njohur si “primare”, ku anëtarët e partisë do të votojnë të preferuarit e tyre dhe më pas do të përpilohet lista zyrtare.
Ky model u aplikua edhe në zgjedhjet lokale të vitit 2023, por procedura shkaktoi pakënaqësi, madje edhe akuza për parregullsi zgjedhore dhe votime formale.
Është e paqartë se si do të funksionojë votimi në këtë rast dhe se si do të përcaktohen kandidatët që do të votohen.
Gjatë mbledhjes së kryesisë pasditen e sotme, kreu i kësaj force politike, Sali Berisha, duke folur me video konferencë, kërkoi angazhim të anëtarëve të kryesisë në informimin e qytetarëve, për të nisur protestat, që sipas tij duhet të detyrojnë kryeministrin Rama, të pranojë qeveri teknike.
Berisha tha se nuk mund të ketë zgjedhje me Edi Ramën, por shtoi se opozita nuk do t’i bojkotojë ato dhe se vetmja zgjidhje e kësaj force politike është qeveria teknike.
Në mbledhje u komunikuan edhe drejtuesit politikë në 12 qarqe dhe u bë e ditur se fushata në mbarë vendin do të drejtohet nga Flamur Noka, në mungesë të Berishës i cili vijon të jetë në arrest shtëpie.