Nga Hysni Gurra
Kam ndejt nja 30 min duke e parë listën e drejtuesve të qarqeve të PD me sy kritik, por me thënë të drejtën nuk është se më erdhi ndonjë kritikë e qenësishme për secilin nga ata.
Për secilin mund të gjesh 100 arsye pse nuk duhej të ishte, ashtu siç janë gjetur 100 pse duhen, por që t’i drejtosh gishtin ndonjërit si i korruptuar, flas për miliona euro, siç janë drejtuesit e Rilindjes, nuk është se ka.
Tiranën e kryeson Belind Këlliçi, denoncuesi kryesor i aferave korruptive të Erion Veliajt. Me denoncimin e aferës korruptive të “5D” që ishte shtabi elektoral i Veliaj përballë tij, ai bëhet i pari kandidat “humbës” që vërteton se nuk ka humbur, por është vjedhur.
Në Durrës është Oerd Bylykbashi, teknokrat i zoti, i butë e i urtë siç e duan durrsakët. A do ia dalë përballë bandave të Dakos e Sakos? Kjo do mbetet për t’u parë. Por mbi Oerdin, ashtu si mbi Belindin nuk rëndon asnjë akuzë për korrupsion.
Në Fier është Gazment Bardhi, ish-numri dy i Lul Bashës. Ka shkuar në një qark të kuq. Sprova e fundit për t’u kolauduar si politikan i suksesshëm, ose i dështuar.
Në Vlorë Bujar Leskaj, ndër pak njerëz që lexojnë ende libra në Parlament (mund të kem krijuar edhe mendim të gabuar se nuk e njoh, por këtë përshtypje më ka lënë). Demokrat Vlore, një demokrat i qëndrueshëm Vlore është sa 100 demokratë në Shkodër apo Kukës.
Në Gjirokastër Tritan Shehu. Po të kisha qenë unë do t’ia kisha lënë…Dasho Alikos për shembull. Po gjithësesi për hajdut nuk njihet Tritani edhe pse ka provuar edhe karrigen e ministrit.
Në Korçë Ivi Kaso. Jurist i mirë dhe i artikuluar politikisht. Korça qytetar do.
Në Elbasan Ervin Salianji. Një nga cilësitë e kohës për një politikan (edhe pse nuk më pëlqen ky imponim i kohës) është të bëjë veten të harrueshëm për ndonjë sjellje të pahijshme që bën në karrierë. Salianji ka bërë të harrohet ajo pamja me shkop bejsbolli në dorë duke mbrojt Lulin. Elbasani është qark shumë i vështirë, mbase bën të harrohet që prej vitesh PS-ja merr në atë qark 8 deputetë e sipër.
Në Berat Enno Bozo. Ekonomist i artikuluar. Në Berat do i duhet patjetër Ter Maliqi mbrapa në çdo takim dhe Tomorri është mirë mos duket andej.
Në Lezhë presor Gjekmarkaj. Nuk e di pse është ai; se është katolik, se është profesor apo se ka popullaritet? E shohim rrugës. Gjithësesi librin e jetës parlamentare që po shkruan (satira javore) do bënte mirë ta botonte para fillimit të fushatës dhe parathënien t’ia bënte ndonjë lezhjan me popullaritet. Në Lezhë si në rrallë vende kam shkuar në 6-7 promovime librash autorësh të ndryshëm.
Në Shkodër Luçiano Boçi. Figurë potente dhe në atë kategorinë e “danoçëve” në politikë. U përball në Elbasan me bandat e Rilindjes dhe ato të Lulit dhe i mundi i vetëm. Një elbasonlli në Shkodër, për nga qytetaria s’bën diferencë, për nga tangërllëku po, por besoj ia del Luçiano se do dijë të zgjedhë prapvijë të mirë me shkodranë të zotë.
Në Kukës Flamur Hoxha. Një durrsak që shkon në Kukës. Pavarësisht origjinës, Flamuri më shumë ngjan me një durrësak se me një kuksian.
Në Dibër Xhelal Mziu. E kisha çu edhe unë Xhelalin në Dibër, po veç me pre dru n’Korab