‘Furtunë’ në Policinë e Shtetit. Kryepolici Muhamet Rrumbullaku dhe drejtuesit e policisë në 12 qarqet e vendit do të ikin nga detyra, për t’i hapur rrugë reformimit të Policisë së Shtetit. Ripërtëritjen në radhët e policisë e njoftoi ministri i ri i Brendshëm, Ervin Hoxha, i cili kishte thirrur në një takim të gjithë vartësit e tij.
Shqiptarja.com mësoi përmes burimeve dorëheqjen e kreut të Policisë së Shtetit një ditë më parë, ndërsa në vend të tij është komanduar zv.drejtori Sokol Bizhga, sipas ligjit të ri të Policisë së Shtetit. Në takimin e shkurtër, ministri Hoxha tha se ka ardhur koha për të kaluar stafetën tek një tjetër gjeneratë drejtuesish për çeljen e një kapitulli të ri në rrugën e uniformave blu drejt Shqipërisë 2030.
“Sot, është dita për ta kaluar stafetën tek një tjetër gjeneratë drejtuesish, të cilët falë punës kolosale të bërë deri këtu, nuk do ta fillojnë rrugën e tyre nga gremina e vitit 2013, por nga një lartësi e arritur me mundin e me kohën e një dekade dhe nuk do të kenë asnjë justifikim për të mos e ngjitur Policinë e Shtetit në rangun e trupave më të mira të Bashkimit Europian.
Kam bindjen se ata që do të dorëzojnë stafetën udhëheqëse të kësaj trupe, që nga Drejtori i Përgjithshëm dhe të gjithë të tjerët, nuk do ta kursejnë dijen dhe përvojën e jashtëzakonshme të fituar në gjithë këto vite në vijën e parë, për të mbështetur ngjitjen e mëtejshme të trupës së policisë drejt majës së Shqipërisë 2030”, tha ministri i Brendshëm Ervin Hoxha.
Ministri Hoxha njoftoi hapjen e garës për drejtorin e ri të Policisë së Shtetit që do të bazohet në ligjin e ri, të hartuar gjatë kohësh kur ministria e Brendshme drejtohej nga Taulant Balla. Aplikantët sipas udhëzimit kanë afat 7 ditë, ndërsa emërimet e reja sipas ministrit Hoxha do të bëhen në bazë të meritokracisë.
“Kam nxjerrë Udhëzimin për fillimin e procedurave të përzgjedhjes së Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit dhe në zbatim të tij, në detyrën e përkohshme të drejtuesit të lartë të Policisë, do të komandohet Zv.drejtori i Përgjithshëm, Sokol Bizhga. I ftoj të gjithë drejtuesit të Policisë, të cilët janë sipas rangjeve të parashikuara nga ligji të kandidojnë për Drejtor të Përgjithshëm. Nëse e kanë këtë ambicie të mos ngurrojnë. Procesi është i hapur dhe zgjedhja do të jetë e pandikuar nga asgjë tjetër, përveç vlerave individuale të çdo kandidature”, tha ministri Hoxha.
Ministri Hoxha u shprehu mirënjohjen për të gjithë drejtuesit e Policisë, duke vënë theksin tek ndryshimi që policia ka pësuar ndër vite.
“Mirënjohje për të dhe për të gjithë ata që e sollën stafetën deri këtu me profesionalizëm dhe përkushtim ndaj uniformës, duke e thelluar më tej transformimin e Policisë së Shtetit”, vijoi ministri.
Ky është një ndryshim rrënjësor që i bëhet strukturave të Policisë së Shtetit, ndërsa Muhamet Rrumbullaku mbyll një rrugëtim të gjatë mes uniformave blu. Muhamet Rrumbullaku u emërua në krye të Policisë së Shtetit më 7 shtator 2022 dhe largohet pas 2 vitesh në krye të kësaj detyre. Sipas ligjit të ri, Rrumbullaku nuk mund të kthehet më në radhët e uniformave blu.