Ish-drejtuesi i prokurorisë së Kukësit Xhevahir Lita duhet të ishte sot në seancën dëgjimore, pasi Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, kishte vendosur të lexonte gjetjet administrative, për një nga kriteret e verifikimit të tij, siç është përshtatshmëria e figurës së prokurorit.
Lita, nga ambientet e burgut kishte zgjedhur të përfaqësohej me avokat mbrojtës, i cili parashtroi kërkesat trupës së “Vettingut”, duke kërkuar riçeljen e hetimit administrativ dhe për dy kriteret e tjera, atë pasuror dhe profesional.
Prej 31 qershorit 2023 prokurori Xhevahir Lita mban statusin e pezullimit nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë, për shkak të arrestimit të tij nga SPAK në atë që quhet dosja Nr.9 apo siç njihet ndryshe “Metamorfoza”.
Kjo dosje seancën e sotme u bë temë diskutimi dhe në “Vetting”, ku trupi gjykues pretendoi se mjaftonin gjetjet e kësaj dosje që vërtetonin se prokurori Xhevahir Lita, është i papërshtatshëm për të qëndruar në sistem.
Sipas shkresave administrative që “Vettingu” ka administruar nga SPAK, rezultoi se subjekti Xhevahir Lita ishte i përfshirë përmes komunikimet në aplikacionin “Sky” në dy raste korrupsioni me shtetasin Behar Bajri.
Por avokati mbrojtës i Xhevahir Litës pretendoi duke argumentuar se “Vettingu” nuk duhet të ngatërojë hetimin administrativ me hetimin penal që ka zhvilluar SPAK.
Avokati tha se klienti i tij, Xhevahir Lita, nuk ka pranuar asnjë nga akuzat që i atribohet, duke shfaqur vetën të pafajshëm përballë hetimit penal të SPAK. Ndaj që nisur nga këto rrethana, çdo njeri gëzon prezumimin e pafajësisë deri në periudhë kur nuk ekziston një vendim i formës së prerë për dënimin e tij.
Për këtë arsye, avokati ripërsëriti kërkesën e Xhevahir Litës, duke kërkuar riçeljen e hetimit administrativ dhe për dy kriteret e tjera, atë pasuror dhe profesional.
Një tjetër shkresë kontradiktore ishte dhe një përgjigje nga DSIK-ja, e cila për të njëjtin subjekt rivlerësimi kishte lëshuar dy raporte të kundërta.
Ku herën e parë në 2021 kishte informuar Vettingun se Xhevahir Lita ishte i përshtatshëm për të qëndruar në detyrë. Ndërsa herën e dytë kishte informuar duke dhënë mendim se Lita nuk ishte i përshtatshëm.