5 Shtatori shënon 8-vjetorin e shënjtërimit të Nënë Terezës. Report tv sjell dëshminë e rrallë të një personi që gjithë jetën ia dedikon asaj.
Ai është Ardit Mancaku, një prej personazheve më të njohura në Shkodër, i anagzhuar prej vitesh në projektin “Shpresa”. Mancaku e ka takuar Nënë Terezën 33 vite më parë, kur ishte 12-vjeç dhe familja e kishte brakisur në jetimore, pasi kishte lindur me sëmundjen e nanizmit.
“Unë kam qenë 12 vjeç kur ka ardhur Nënë Tereza tek Qendra e Zhvillimit në Shkodër dhe i kam pasur këmbët e kthyera në formë peshku. I kam thënë ‘Nënë Terezë a do më falësh 2 mijë lek të blejë këmbë të reja’. Nënë Tereza më tha se do të shëroj unë me duart e mia. Na ka çuar mua dhe një vajzë në spital në Romë. U shtrova në spital më 5 gusht të 1991. Operacioni i parë ka zgjatur 5 orë. Isha i fortë, kam pasur kurajo! Kam bërë disa operacione, kam qendruar dy vite në spital”, tregon ai.
Sot 45 vjeç, Ardit Mancaku beson në mrekullitë e Shenjtores Tereza, teksa thekson se është ngritur në këmbë falë lutjeve të saj.
“Nënë Tereza vinte shpesh në spital, u ka dhënë bekimin e saj mjekëve. Ishte mrekulli e saj që kanë shkuar mirë gjithë ato operacione. Kam dalë nga spitali vitin 1993. Asokohe kam qarë se doja të rrija akoma në spital. Kisha frikë se do më çonin tek familja biologjike. Nuk doja të shkoja atje! Pastaj më kanë çuar në shtëpinë e motrave të Nënë Terezës dhe aty jam takuar me Papa Gjon Palin II, në ’93 dhe ‘94. Nënë Tereza ka qenë nëna ime dhe Papa ka qenë babai im”.
Mban përherë pranë vetes edhe foton e takimit me Papa Gjon Pali II në Shkodër.
“Kjo është fotoja që kam me atë vajzën që shkova në spital. Ajo është birësuar në Itali, ndërsa unë u ktheva. Nënë Tereza për mua ka qenë gjithcka, më ka hap shumë rrugë. Falë saj jam sot tek projekti “Shpresa”.
Arditi Mancaku tashmë jep kontributin e tij në qendrën “Shpresa” në Shkodër. Sipas mësimeve të Nënë Terezës kujdeset për fëmijë dhe të rinj, jetimë e me probleme sociale e shëndetësore.