Ky 5 shtator shënon 27 vite nga vdekja e humanistes shqiptare, fituese e Çmimit Nobel për Paqe, Shën Nënë Tereza.

“Me gjak, unë jam shqiptare. Me shtetësi, jam indiane. Me besim, unë jam një murgeshë Katolike. Sipas profesionit tim, unë i përkas botës. Për nga zemra ime, unë i përkas plotësisht Zemrës së Jezusit”.

Këto janë fjalët e thëna nga Nënë Tereza, gruaja e jashtëzakonshme të cilën e deshën të gjithë, dhe për veprat e mira që bëri u shenjtërua edhe nga Papa Françesku më 5 shtator 2016.

Ajo u bë e përjetshme në shenjtërinë e saj përmes një ceremonie madhështore në Sheshin “Shën Pjetri” në Vatikan. Dy janë mrekullitë të njohura botërisht që i hapën rrugën shenjtërimit të murgeshës shqiptare.

E para ishte dëshmia e Monika Besra, nëna e 5 fëmijëve. Ajo është shprehur se lutja përpara ikonës në Nënë Terezës e shëroi nga sëmundja e tumorit në stomak.

Mrekullia e dytë u njoh në vitin 2015 nga Papa Françesku. Një 25-vjeçar nga Brazili konfirmoi se falë murgeshës shqiptare ishte kuruar nga tumori në tru.

<div data-type="_mgwidget" data-widget-id="1666851">
</div>
<script>(function(w,q){w[q]=w[q]||[];w[q].push(["_mgc.load"])})(window,"_mgq");
</script>

Murgesha ‘u lumturua’ po ashtu në tetor të vitit 2003, nga Papa Gjon Pali II. Ai miratoi mrekullinë e parë pas vdekjes së saj.

Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara përmes një rezolute të veçantë caktoi 5 Shtatorin, si Ditën Ndërkombëtare të Bamirësisë.

Shën Tereza, emri i plotë i së cilës është Anjezë Gonxhe Bojaxhiu, u lind më 26 gusht 1910 në Shkup. Shenjtorja ndërroi jetë në 5 shtator 1997, në Kalkutë të Indisë.