Mosrealizimi i programeve të investimeve publike po shndërrohet në një “pandemi”. Të dhënat zyrtare tregojnë se edhe pushteti vendor kishte ritme shumë të ulëta të realizimit të fondeve për investime në 5 mujorin e parë, ndonëse nevojat e komuniteteve lokale janë të mëdha sidomos në infrastrukturë. Të dhënat nga Ministria e Financave tregojnë se gjatë 5 mujorit 2024 shpenzimet për investime janë realizuar në masën 4,2 miliardë lekë më një rënie prej 16 për qind se e njëjta përudhe e vitit 2023, teksa shihet se shpenzimet ndaj personelit u rriten me tej.
Të dhënat zyrtare tregojnë se gjatë janar-maj 2024 shpenzimet e personelit zunë 52.6% e shpenzimeve totale të pushtetit vendor nga 48.8% që ishin një vit më parë. Ato janë realizuar në masën 13,2 miliardë lekë ose rreth 14% më shumë se e njëjta periudhë e vitit 2023 si rrjedhoje e rritjes së pagave për punonjësit e administratës lokale.
Shpenzimet Kapitale janë një zë mjaft i rëndësishëm në buxhetin vendor, pasi mënyrë direkte e indirekte sjellin zhvillim ekonomik dhe për rrjedhojë, ndikojnë mirëqenien e qytetarëve. Mirëpo ky zë ka një peshë të vogël në shpenzimet totale të pushtetit vendor, në krahasim me shpenzimet për personelin dhe ato operative. Bashkitë çojnë më shumë fonde për shpenzimet operative se sa në zërin e investimeve të cilin dështojnë të realizojnë për shkak të kapaciteteve të dobëta për projekteve.
Nga analiza e të dhënave sipas llogarive ekonomike, vihet re se të gjithë zërat e shpenzimeve korente kanë rritje këtë vit. Për 5M 2024 ato rezultojnë 6.4 miliardë lekë nga 6.2 që ishin në 5-mujorin e 2013. Shpenzimet operative në këtë periudhë përbëjnë rreth 25.6% të totalit të shpenzimeve vendore.
Shpenzimet e pushtetit vendor janë një tregues i rëndësishëm i procesit të menaxhimit të financave publike në nivel vendor. Ndër vite, këto shpenzime janë shfaqur në rritje të lehtë dhe kjo vjen si pasojë e rritjes së nivelit të shërbimeve dhe funksioneve që pushteti vendor ofron për qytetarët.
Gjatë vitit 2023 të dhënat për investimet e bashkive tregojnë se, nga totali i programuar prej 48 miliardë lekësh (460 mln euro) janë investuar vetëm 45% e tyre, një vlerë 26 miliardë lekë (252 mln euro). Nga 5228 projekte në total të programuara për t’u financuar më 2023, janë financiar më pak se gjysma, ose vetëm 2546 projekte. Në një kohë që fondet e bashkive mbeten stok pa u realizuar, rajone të tëra rurale në të gjithë vendin janë duke u shpopulluar, si rezultat i mungesës së infrastrukturës, rrugore, shëndetësore dhe shkollave./Monitor