Senati Akademik i Universitetit “Luigj Gurakuqi”, i dalë nga zgjedhjet e 21 qershorit, ka zhvilluar sot mbledhjen e parë të konstituimit.
Mbledhja është drejtuar nga kryetari i Senatit Akademik, Prof. Dr. Tonin Gjuraj, rektor i këtij universiteti. Në hapje të mbledhjes, Gjuraj ka vënë theksin tek parimi i transparencës me mediat e qytetarët, që nga dita e parë e nisjes së punës së senatit të ri akademik.
Gjatë fjalës së tij, Gjuraj ka vënë theksin në implementimin e platformës së tij të prezantuar gjatë zgjedhjeve në universitet, por duke kërkuar vëmendje të shtuar në procesin e regjistrimeve,i cili vijon akoma.
Sipas agjendës së prezantuar, Senati Akademik ka zgjedhur sekretaren e tij, Fatbardha Osmanaga, e cila mori 19 vota të anëtarëve të Senatit.
Në vijim, është votuar për zëvendësrektorin, ku rektori Gjuraj propozoi emrin e Prof. Dr. Blerta Dragusha. Kandidatura e saj mori 18 vota pro dhe një kundër. Prof. Dr. Blerta Dragusha, është pedagoge e Fakultetit Ekonomik, të cilin e ka drejtuar për 8 vite si dekane.
Senati Akademik i Universitetit të Shkodrës ka 21 anëtarë, përfshirë edhe rektorin Gjuraj. Pjesë e tij, janë edhe dy përfaqësues të studentëve.